Sport

“Kam lindur në Angli, por gjaku im është shqiptar”, Anis Mehmeti ‘mesazh’ Sylvinhos: Dua të luaj përballë Anglisë

Anis Mehmeti po kalon një formë mjaft të mirë në Angli me Bristol City. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, ka folur së fundmi për “3pointsforawin”, duke treguar shkurt fillimet e tij dhe dëshirën për të luajtur në ndeshjen Angli – Shqipëri.

Ndër të tjera, Mehmeti tregon atdhedashurinë e tij, teksa thekson se pëlqen të luajë në Premier League, duke mos pasur frikë kundërshtarin që do të ketë përballë tij.

“Unë u rrita në një shtëpi të thjeshtë dhe gjithçka që doja të bëja ishte të luaja futboll. Këtu mësova të jem i patrembur. Kam lindur në Angli, por gjaku im është shqiptar dhe flas shqip.

Në Premier League duke u përballur me yje si Alexander-Arnold apo Walker? Unë gjithmonë bëj shaka me djemtë se, me respekt, nuk më intereson kush është para meje.

Ndeshja Angli-Shqipëri, është ajo lloji sfide për të cilën ju jetoni. Kam luajtur tre herë për Shqipërinë, por ka pasur një periudhë ku nuk jam thirrur gjatë vitit të kaluar. Kjo është zhgënjyese, por shpresoj se do të kem një shans për të luajtur kundër Anglisë.

Përfundova pa klub për një kohë për shkak të Covid. Kam pasur gjithmonë besim te vetja, por ka dyshime kur janë pesë muaj pa klub”, është shprehur Anis Mehmeti.