Politikë

Kandidatja për ‘tepsinë’ e Tiranës: Ogerta me 5 dosje penale në SPAK për 500 milionë Euro

Kryeministri Edi Rama, shpalli Ogerta Manastirliun, kandidate për Kryetare të Bashkisë-Tiranë, duke e vlerësuar “Shkëlqyer për përvojën” në çdo detyre gjatë 12 viteve pushtet të PS.

Por faktet, dëshmojnë se të vetmen “përvojë” që ka Ogerta, është korrupsioni në çdo detyrë, duke qenë e vetmja drejtore dhe ministre, nën hetim me 5 dosje penale për tenderë e koncesione.

Batërdia, gjatë 4 viteve drejtoreshë e QSUT

Për Ogerta Manastirliun, janë hapur 2 hetime penale në Prokurorinë e Tiranës, për korrupsion me tenderët dhe falsifikim dokumentesh e vjedhje të sasive të ilaçeve, gjatë viteve 2013-2017 kur ishte Drejtore e QSUT, zbuluar nga auditetet e KLSH dhe të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas dosjeve, Ogerta Manastirliu, nëpërmjet tenderëve fiktivë, pa garë, me fonde limit më të larta se kostot reale e shtim kontratash, ka bërë korrupsion 110 milionë Euro në blerje ilaçesh, pajisjesh mjekësore, rikonstruksion spitalesh e qendrash shëndetësore, ushqim e mobilim të tyre.

Ajo është proceduar penalisht për lejimin, organizimin, firmosjen dhe vjedhjen në bashkëpunim me vartësit e saj, të 60 milionë Euro ilaçe e materiale mjekësore në magazinën e QSUT, duke i deklaruar të skaduara e sikur gjoja kishte furnizuar pavionet dhe farmacinë qendrore.

Dosja 50 milionë Euro me tenderët sekret për “Covid 19”

Prej 4 vitesh, në sirtarin e SPAK vazhdon të qëndrojë pezull hetimi për Ogerta Manastirliun, lidhur me kallëzimin penal, për tenderët sekret të ilaçeve, pajisjeve, oksigjenit e materialeve mjekësore për periudhën e pandemisë “Covid 19”, kur ajo ishte Ministre e Shëndetësisë.

Sipas dosjes penale, Ogerta Manastirliu, ka abuzuar me 50 milionë Euro tenderë sekretë, dhënë 4 firmave klienteliste me negociim pa garë; 35 milionë Euro prej të cilave, u vodhën duke sajuar bashkë me Bablokun, fonde limit me vlera të larta dhe duke falsifikuar zbatimin e kontratave.

Sipas raporteve në dosjet hetimore, rezulton se, gjatë periudhës prill 2017-gusht 2023 si Ministre e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka kryer edhe 185 milionë Euro korrupsion me tenderët.

Në SPAK është dhe dosja penale, për aferën e datës 15 janar 2020, kur me ndryshim kontrate e preventiv fals, Ogerta i shtoi 44 milionë Euro koncesionit të  Sterilizmit të Pajisjeve Kirugjikale.

Një tjetër dosje penale, është për falsifikimin e realizimit të kontratave të Dializës, Laboratorëve e Check-up, duke u dhënë në total 21 milionë Euro me faturime false për shërbime të pa kryera.

Aferat në Ministrinë e Arsimit

Tre afera të tjera korruptive të Ogerta Manastirliut, janë ato gjatë dy viteve Ministre Arsimi, ku ka firmosur 30 milionë Euro vjedhje për ekipet sportive shkollore dhe tenderët e rikonstruksionit të shkollave, ngrohjes e librave  mësimore.

Ndoshta prej kësaj “përvoje” korrupsioni e vjedhjesh dhe guximit për për të firmosur zhvatjen e fondeve; Rama shpalli Ogertën  kandidate për “timonin” Bashkisë së Tiranës.

Edhe në Bashkinë e Tiranës, Ogerta ka “përvojë” korrupsioni e vjedhjesh gjatë viteve 2004-2011 nën drejtimin e Edi Ramës, kur ishte Drejtoreshë e Strehimit, Drejtoreshë e Shërbimeve Sociale dhe Drejtoreshë e Projekteve./Pamfleti