Sport

Kandidaturë e fortë te Tirana, edhe Shpëtim Duro në lojë për postin e trajnerit

Një tjetër kandidaturë e fortë për të marrë Tiranën, gjithmonë nëse largohet Bledi Shkëmbi, është Shpëtim Duro. Tiranasi mund të jetë pjesë e bardhebluve në sezonin e ri.

Në fakt, emri i Shpëtimit nuk del për herë të parë te Tirana. Edhe pas largimit të Maganit u fol për Duron në stolin e bardheblu. Ai ishte kontaktuar indirekt për të marrë drejtimin e Tiranës. Nëpërmjet palëve të treta, drejtuesit testuan nëse Shpëtim Duro ishte i gatshëm për një aventurë bardheblu.

Trajneri i njohur i Kategorisë Superiore, i kombëtareve dhe i shumë skuadrave në Kosovë e Maqedoni, u mësua se në atë moment nuk ka pranuar që të drejtojë bardheblutë. Shkaku ka qenë gjendja e skuadrës, që sipas tij nuk ishte e mirë.

Duro ka pranuar se në një moment tjetër do të kishte pasur kënaqësinë të merrte drejtimin e Tiranës dhe duket se ai moment ka ardhur. Shpëtim Duro mund të jetë më shumë se një opsion, por trajneri i Tiranës.