Zhoao Kanselo po bëhet gati të firmosë te Barcelona dhe sipas mediave spanjolle, mbetet vetëm data e vizitave mjekësore dhe prezantimi i tij për të mbyllur çdo diskutim. Lojtari do të largohet nga Al Hilal për t’iu bashkuar katalanasve, edhe pse në kohët e fundit kishte marrë oferta edhe nga Juventusi e Interi, dy ish-skuadra të tjera të tij.
Edhe drejtori sportiv i katalanasve, Deko, ka dhënë një konfirmim se çështja është e mbyllur dhe se lojtari do të kthehet përsëri te Barcelona, nga e cila u largua në vitin 2024.
“Kanselo është një lojtar i cilësisë së lartë dhe është një transferim i cili normalisht do të ishte shumë i vështirë të konkretizohej, ka ndodhur për shkak të rrethanave”, ishin fjalët e Deko për “Mundo Deportivo”.
“Nuk ishte i regjistruar me ekipin, kishte një akord që mund të largohej dhe është një lojtar i cili ka qenë gjithmonë i çmendur pas Barcelonës”, shpjegoi drejtuesi i katalanasve, duke theksuar kështu dëshirën e futbollistit për t’u transferuar përsëri në Spanjë.
Sipas mediave spanjolle, lojtari mund të prezantohet që të martën, ndërsa akordi fillestar parashikohet të jetë për huazimin deri në mbyllje të sezonit, me të drejtën e blerjes pasi ai ka një marrëveshje ekzistuese më Al Hilal që zgjat deri në verën e vitit 2027.