Sport

Kaos te klubi shqiptar, publikohet vendimi drastik: Ngrijmë të gjithë aktivitetet

Shkupi është në kaos, ndërsa së fundmi u njoftua në faqen zyrtare se është vendosur që të ngrijnë të gjithë aktivitetet. Shkak për këtë bërë vendimi i pronarit të klubit Jasin Konjali, që t’i japë drejtimin Bekim Baftijarit.

Ky vendim është nga “Këshilli për shpëtim dhe rikthim të ndershmërisë, dinjitetit dhe identitetit të Klubit Futbollistik Shkupi”, që u krijua si nismë e tifozëve.

Njoftimi i Shkupit:

NGRIJMË TË GJITHA AKTIVITETET

Të nderuar, që nga fillimi kur kemi marrë përsipër organizimin e ekipit, të gjithë jeni dëshmitarë se kemi qenë transparent në çdo fazë të veprimit tonë. Për çdo vendim që kemi marrë dhe çdo punë që kemi bërë jemi konsultuar me përkrahësit tonë dhe ekspertë të asaj fushe të veprimit.

Gjatë ditës së mërkurë, në prag të ndeshjes miqësore me KF Arsimin, kemi marrë telefonatë nga z. Bekim Baftijari duke na komunikuar se ka marrë pronësinë mbi klubin. Gjatë zhvillimit të ndeshjes miqësore me KF Arsimi të gjithë kemi qenë dëshmitarë se nga ish presidenti dhe pronari i klubit Jasin Konjali është shpërndarë një fotografi duke ia uruar z. Bekimit pronësinë e klubit. Nga ai moment kemi marrë shumë thirrje nga anëtarë dhe përkrahës tonë duke shprehur shqetësimin e tyre, me shumë të drejtë. Gjatë ndeshjes z. Bekimi ka ardhur në stadium duke na treguar autorizimin që ka marrë nga ish presidenti.

Autorizimi përfshin përfaqësimin në emër të klubit para institucioneve por jo dëshmi për transferim të aksioneve dhe pronësisë. Atë lloj autorizimi në të kaluarën e kanë pasur edhe Florim Muça por edhe drejtorët tjerë ekzekutiv. Sipas autorizimit, z. Bekimi është “person i autorizuar nga ish presidenti” dhe jo pronar. Ish presidenti mund të ndryshojë atë vendim ne çdo moment dhe të vendosë dikë tjetër në atë vend.

Me “personin e autorizuar nga ish presidenti” kemi pasur takim edhe javën e kaluar dhe kemi ra dakord që të gjitha vendimet të sillen bashkërisht. Ne e kemi kërkuar disa herë dhe për shkaqe të ndryshme nuk është paraqit deri në momentin kur ka pasur autorizimin në dorën e tij.

Natyrisht, të mësuar dhe të djegur nga e kaluara me “pronarë” dhe “drejtorë” të ndryshëm edhe ne kemi dyshimet tona dhe jemi të shqetësuar për të ardhmen e funksionimit të klubit.

Edhe pas publikimit të fotos nga ish presidenti dhe prezantimit të autorizimit kemi pasur edhe një takim dhe e kemi pyetur se si planifikon të funksionojë në të ardhmen. Nuk kemi marrë përgjigje konkrete për planet por vetëm një përgjigje të përgjithshme “krejt na bashkë”. Fjalët janë një gjë ndërsa veprat tregojnë diçka tjetër. Veprimet dhe aktivitetet e “personit të autorizuar nga ish presidenti” periudhën e kaluar nëpër rrjetet sociale si dhe disa veprime i konsiderojmë si mungesë e transparencës ndaj nesh. Filozofia dhe mënyra e tij e mendimit dhe veprimit bie ndesh me filozofinë dhe mënyrën e mendimit dhe veprimit tonë. Për këto arsye ne kemi kërkuar nga ai që të nënshkruajmë një marrëveshje për format e bashkëpunimit në të ardhmen.

Ne kemi përgjegjësi para përkrahësve tanë si dhe para të gjithëve me të cilët kemi krijuar një bashkëpunim të mirëfilltë. Kemi qenë në ndërtim të sipër të një sistemi të organizimit të punës dhe nuk dëshirojmë që emri asnjërit nga ne të përfshihet në aktivitete për të cilat nuk e dimë se cili është drejtimi dhe qëllimi i atyre aktiviteteve.

Me shumë mund kemi arritur që të rikthejmë harmoninë dhe disponimin brenda ekipit dhe ajo u rrënua për një çast me disa lëvizje të papritura. Gjithashtu kemi përgjegjësi para lojtarëve dhe stafit teknik. Te ata është krijuar një huti për të ardhmen e tyre.

Ne mendojmë se ky autorizim është edhe një lojë dhe përpjekje nga ish presidenti Jasin Konjali për të blerë kohë dhe për të mos dorëzuar klubin atyre që ju takon, QYTETARËVE TË SHKUPIT. Jo rastësisht, kjo gjë vjen disa ditë para fillimit të stinorit pranveror. Prandaj, si “Këshilli për shpëtim dhe rikthim të ndershmërisë, dinjitetit dhe identitetit të Klubit Futbollistik Shkupi” deri sa të arrihet një marrëveshje e shkruar mes nesh dhe “personit të autorizuar nga ish presidenti”, NGRIJMË TË GJITHA AKTIVITETET TONA NË KLUB DHE RRETH KLUBIT, ndërsa “personit të autorizuar nga ish presidenti” i urojmë fat dhe punë të mbarë në shpëtimin e klubit nga më e keqja.