Aktualitet

Kap ça t’kapësh/ Delina jep me qira për Bar-Kafe-Restorant mjedise te QSUT “Nënë Tereza”; me 136 lekë/m2 në muaj

Pas kullave dhe stadiumeve, radha e hapësirave spitalore, 467 m² brenda “Nënë Terezës” jepen me enfiteozë, me rrezik kalimi në pronësi private…

Qeveria ka shpallur ankandin për dhënien me qira të një sipërfaqeje prej 467.48 m² brenda Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke hapur rrugën për privatizimin e hapësirave spitalore. Vendimi, i bazuar në një akt të vitit 2014 që e trajton pasurinë si “gërmadhë”, parashikon kontratë enfiteoze 10-vjeçare me të drejtë rinovimi dhe mundësi kalimi në pronësi nëse deklarohet investim i dyfishtë. Pas përpjekjeve për të dhënë edhe 1800 m² truall për hotel, ky hap i ri ngre shqetësime për tjetërsimin gradual të pasurive publike shëndetësore dhe shndërrimin e spitaleve në terren biznesi.

Pas hapësirave rreth Pallatit të Kongreseve, stadiumeve në Tiranë, Korçë e Vlorë, rezidencave qeveritare në bregdet, Shtëpisë së Fëmijëve “Zyber Hallulli” etj., qeveria ka filluar t’i japë privatit edhe mjediset brenda spitaleve publike.

Me njoftim në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 2 shkurt 2026, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka shpallur ankandin për dhënien me qira të një sipërfaqeje prej 467.48 m² të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Kap ça t’kapësh/ Delina jep me qira për

Ajo ka urdhëruar fillimin e procedurave për dhënien me qira, nëpërmjet ankandit, të kësaj pasurie shtetërore, që është në përgjegjësi administrimi dhe përdorimi të qendrës spitalore.

Sipas njoftimit zyrtar, kuptohet se sipërfaqja ndodhet brenda godinave spitalore dhe privati që do ta marrë me qira do të kryejë investime; ndërsa sipas informacionit paraprak që kemi marrë, ambienti do të tjetërsohet në bar–kafe–restorant.

Para disa kohësh u tha se Edi Rama dhe ish-ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhe, përgatitën dhurimin për privatët të 1800 m² truall brenda Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për ndërtimin e një hoteli privat.

Ndërsa tani, pasardhësja e Blendi Gonxhes ka nxjerrë në ankand me qira për 10 vite 467.48 m² mjedis spitalor, me vlerë qiraje 63 mijë e 595 lekë në muaj, dhe thuhet se është paracaktuar subjekti që do ta marrë.

Si bazë ligjore për dhënien me qira është përdorur Vendimi nr. 54, datë 5 shkurt 2014 i qeverisë, duke e trajtuar këtë pasuri si “pasuri shtetërore gërmadhë” dhe duke e nxjerrë në ankand me vlerë qiraje 136 lekë/m² në muaj.

Ankandi do të zhvillohet më 12 shkurt 2026 në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, por mbetet për t’u parë se cili mik i Bablokut apo familjar pushtetari do ta marrë me qira.

Kontrata e qirasë do të jetë “enfiteozë”, që do të thotë se subjekti që do ta marrë këtë sipërfaqe do ta regjistrojë në Kadastër në emrin e tij për 10 vite.

Ndërsa pas 10 vitesh, privati ka të drejtë ta përsërisë kontratën edhe për 10 vite të tjera; por sipas vendimit të qeverisë mbi të cilin është bazuar ankandi, nëse investimi do të deklarohet sa dyfishi i vlerës së objektit, ai ka të drejtë ta kalojë në pronësi të tij, duke ia hequr Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”./Pamfleti