I ftuar në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News”, skenaristi dhe regjisori Bujar Kapexhiu u shpreh se Dhimitër Anagnosti mbetet figura më e shquar e kinematografisë shqiptare, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar artistike dhe kulturore.
” Është një moment mjaft i mirë, për të dhënë fjalët më të mira, të zemrës, të shpirtit për një njeri me vlera të jashtëzakonshme, që iku nga kjo jetë, por duke lënë gjëra të çmuara që i shërbejnë artit dhe kulturës shqiptare.
Dhimitër Anagnosti është padyshim regjisori më i shquar i kinematografisë shqiptare i cili i ka dhënë 14 filma të mrekullueshëm, që sot janë një shkollë për të rinjtë që do të vazhdojnë këtë karrierë, por njëkohësisht janë të rëndësishme sepse tregojnë pjesë nga historia e shqipërisë. Pra, në vitet që ai ka jetuar, me të gjithë temat që ai ka trajtuar është me shumë art, me shumë mjeshtri, me shumë dashuri, me shumë pasion.
Ka treguar gjëra kaq interesante, që dhe sot të gjithë spektatorët kur i shikojnë ikin me mbresa të mrekullueshme dhe e vlerësojnë talentin e këtij regjisori.
Ne që kemi punuar me të padyshim e vlerësojmë dhe dimë të bëjmë diferencat me shumë të tjerë”, u shpreh Kapexhiu.