Sfida me Partizanin ka një rëndësi të veçantë për ballshiotët që rikthehen në fushën e tyre pas barazimit në kryeqytet, me Dinamon në fundjavën e shkuar.
Në fakt, mallakastriotët kërkojnë medoemos 3 pikët për faktin se nuk kanë shijuar ende shijen e suksesit në kampionat, por më tepër edhe për të lënë zonën e rrezikut sa më parë. Sipas njërit prej titullarëve dhe lojtarit më stabël tek mallakastriotët, Aurel Marku, Bylisi ndaj të kuqve do të hyjë në fushën e blertë vetëm për 3 pikët.
Në një prononcim përpara ndeshjes, për “Panorama Sport”, Aurel Marku ka pohuar: “Luajmë një duel të fortë dhe me një kundërshtar që duhet vlerësuar. Partizanin e kemi ndjekur, ka bërë ndeshje të mira brenda dhe jashtë fushës. Ne rikthehemi pas dy rezultateve pozitive, barazuam me Egnatian dhe ndalëm Dinamon në kryeqytet, kështu që ndaj të kuqve duhet që të marrim 3 pikët. Një duel me mjaft rëndësi për ne dhe duhet që të hyjmë në fushë që në sekondën e parë duke treguar grintë dhe dëshirë për ta fituar ndeshjen, tha Aurel Marku.
Ky i fundit ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit duke qenë se në Ballsh luan sezonin e tij të 3-të. Madje si kapiten thekson se do të ndikojnë pozitivisht në konkurrencë: “Bylisi është një klub, apo skuadër që karakterizohet nga fryma e grupit. U uroj suksese lojtarëve që u larguan në eksperiencat e tyre, por kam besim se afrimet e shumta që ka bërë presidenca do të na bëjnë punë dhe janë lojtarë me eksperiencë që do e rrisin cilësinë dhe shtojnë konkurrencën në skuadrën tonë”,- tha Aurel Marku në mbyllje të prononcimit të tij, përpara duelit me skuadrën e Partizanit.