Sport

Kapiteni i Vllaznisë, Balaj para sfidës me Egnatian: Besojmë te fitorja, jemi gati

Kapiteni Bekim Balaj u shfaq përkrah trajnerit Edi Martini në konferencën e zakonshme për mediet në prag të ndeshjes së nesërme Vllaznia-Egnatia.

Ai u shpreh se beson te fitorja dhe se duhet ta nisin mbarë sezonin e ri.

“Normalisht ndeshja e parë pritet me entuziazëm, përqendrim maksimal, ndeshja e parë e një sezoni të gjatë, por duhen marrë me radhë, i gjithë fokusi është nesër te Egnatia dhe te 3-pikëshi.

Egnatia është një ekip që duhet vlerësuar, është kampionia e sezonit të shkuar, deri diku ka bërë një ecuri të mirë edhe në Europë, por që luajmë në fushën tonë dhe qëllimi është të bëjmë më të mirën.

Gjatë sezonit të kaluar që u përballëm me Egnatian ka qenë në baraspeshë, finalja është një histori e shkuar, nis një sezon i ri dhe me besim maksimal.

Nuk besoj se ka rëndësi fakti që e nisim sezonin kundër Egnatias, e rëndësishme është fokusi te skuadra jonë, jemi gati.

Unë jam lojtar si të gjithë, i njohim ata që janë afruar, pritshmëritë janë të mëdha, por jam i bindur që do të na ndihmojnë shumë.

Kënaqësia më e madhe për mua është ta nisim me fitore mbi të gjitha.

Vllaznia e nis me pretendime maksimale, ta nisim në mënyrën e duhur, me një mbështetje maksimale nga tifozët në “Loro Boriçi” dhe të jetë një ogur i mbarë për këtë sezon”, deklaroi Balaj.

Mbrojtësi i Vllaznisë, Erdenis Gurishta shoqëroi në konferencën e zakonshme për mediet, trajnerin Edi Martini dhe kapitenin Bekim Balaj.

Ai u shfaq besimplotë për fitoren kundër Egnatias.

“Padyshim që gjithsecili lojtar mezi po e pret ditën e nesërme, jemi përgatitur shumë, shansi ynë ishte që luajtëm në Europë disa ndeshje dhe fati i keq që u eliminuam sepse ëndrra jonë ishte të kalonim në turin e tretë, dhe fokusi është te ndeshja e nesërme, jemi të përgatitur.

Kemi pasur disa probleme, por nuk duhet të harrojmë që futbolli është lojë kolektive dhe se duhet të mbrojë i gjithë ekipi dhe jo vetëm mbrojtësit, çdo ditë jemi duke përmirësuar. Sduhet të harrojmë largimet dhe lojtarët e rinj që kanë ardhur.

Na kanë ardhur lojtarë cilësorë që do të na ndihmojnë, me cilësitë që janë shtuar do jetë një Vllazni e fortë.

Vllaznia i ka mundësinë që në çdo ndeshje të marrë 3 pikë, Dinamos i urojmë suksese në Europë.

Na vjen mirë që një skuadër shkon në “play off” por ndjehemi të barabartë dhe do e tregojë edhe fusha.

Ta nisim me fitore është diçka e madhe, sidomos në shtëpinë tonë dhe ekipit që na mori kampionatin vitin e kaluar, mezi po e presim dhe nëse luftojmë me njëri-tjetrin dalim me 3 pikë nesër”, përfundoi Gurishta.