Aktualitet

“Karrierën në Amerikë e harruat ju?”, Frederik Ndoci: Pse e refuzova titullin “Nder i Kombit”

Frederik Ndoci, i cili është cilësuar dhe si “Mjeshtër i Madh”, shprehet se ka refuzuar të marrë titullin “Nder i Kombit”.

I ftuar këtë të enjte, 19 shkurt, tek emisioni “Rudina” në Tv Klan, ka sqaruar përse ka refuzuar një nder të tillë.

Sipas tij, nuk ishte cilësuar ashtu siç duhej arsyeja përse po përfitonte titullin “Nder i Kombit”, gjë që për të dukej si çmim i blerë.

“Kishte sa të duash artistë të tjerë që nuk e kishin. E ndjej veten që jam mirë por… kishte emra që ishin më të mirë se unë. Se, ta marr unë më vjen turp se këtu flitet që e marrin dhe disa të tjerë, e di, ndryshe… Për ‘Nder i Kombit’, kur erdha e refuzova sepse motivacioni ishte shkruar ‘Frederik Ndoci ka qenë instrumentist i shkëlqyer dhe vokalist i shkëlqyer me grupi që na bashkoi kënga popullore’. Por me këtë, duket sikur e kam blerë sheshit mo vëlla. Ç’është kjo? Se këtu, shumica kështu bëjnë. Po nëse s’e ndryshoni? Po që ta ndryshonin duhej të paguaje içik, edhe mirupafshim. U thash po karrierën në Amerikë e harruat ju?”, tha Ndoci.

Frederik Ndoci lindi në qytetin e Shkodrës. U diplomua në 1977, në Shkollën e Mesme Artistike “Prekë Jakova”, për instrumentin oboe. Gjithashtu zotëron shumë instrumente si akordon, piano, mandolinë e kitarë, drum e bass, si dhe instrumente folklorike: lahutë, çifteli, gajde, sharkì, dajre, tarabuk, daulle, bilbil, etj.

Në vitin 1972 fiton kinoprovën në Tiranë, për filmin “Nga mesi i errësirës” në Kinostudion “Shqipëria e Re”, por për shkak të biografisë politike nuk pranohet. Gjatë studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë, punoi në Teatrin e Operës dhe Baletit.

Në shtator dhe dhjetor të vitit 1982 dënohet penalisht. Pas dënimit, mblidhet Kuvendi Popullor dhe i fshin krejtësisht karrierën e tij artistike që nga vitet 1967 – 1982. Pas kryerjes së dënimit, rinis punën në Burrel për disa muaj dhe më pas transferohet si aktor në Estradën e Shkodrës, ku menjëherë spikat interpretimi, duke pasur vlerësime pozitive edhe nga të gjitha gazetat dhe revistat e shtypit të kohës.