Në “Selman Stërmasi” nuk mungoi vetëm loja, por edhe atmosfera që tradicionalisht ka qenë arma më e fortë e Tiranës.
>
Tifozët bardheblu, të lodhur nga rezultatet, drejtimi dhe mënyra se si po menaxhohet klubi, këtë herë e bënë të qartë revoltën e tyre. Me rënien e skuadrës në vendin e fundit prej së premtes, me vetëm 6 pikë dhe katër humbje radhazi, durimi ka kaluar çdo kufi. Pas golit të dytë të Vorës, shpërtheu mllefi që prej kohësh ishte akumuluar në zemrat e tifozëve. Thirrjet kundër presidentit Refik Halili dhe drejtuesve të tjerë u dëgjuan qartë, të ashpra dhe të drejtpërdrejta. Ata akuzuan pronarët aktualë se e kanë çuar klubin drejt degradimit sportiv dhe organizativ, duke kërkuar hapur largimin e tyre dhe një fillim të ri për Tiranën.
Pakënaqësia nuk ishte më thjesht reagim spontan, por një qëndrim i artikuluar i një komuniteti të tërë që ndien se po humbet identiteti i klubit. E gjithë kjo situatë u reflektua edhe në shkallët e stadiumit. Frekuentimi ishte jashtëzakonisht i ulët, shumë mëtepër se sa mund të shpjegohej vetëm me rezultatet e dobëta. Kjo ishte një formë proteste. Një bojkot moral ndaj mënyrës se si po drejtohet klubi.
Në tribuna ishin vetëm pak dhjetëra “Fanatics”, të cilët pavarësisht zhgënjimit nuk e braktisën skuadrën, por në koret e tyre ndihej qartë trishtimi dhe zemërata. Pjesa tjetër e tifozëve zgjodhi të mos bëhej dëshmitare e një tjetër performance të shuar, duke lënë bosh një stadium që, në ditët e tij më të mira, ka ditur të buçasë si askush tjetër në Shqipëri.
Kjo boshatisje e tribunave është simboli më i qartë i krizës së thellë. Tirana nuk po humbet vetëm ndeshjet, por edhe besimin e publikut të saj. Dhe kjo është goditja më e rëndë që një klub mund të marrë. Nëse situata nuk ndryshon shpejt, rrezikon të krijojë një hendek të pakthyeshëm mes tifozëve dhe drejtimit, një plagë që do të kërkojë kohë të gjatë për t’u shëruar, me kusht që dikush të marrë përgjegjësinë dhe të nisë nga e para.