Nga Gëzim Zilja
Më 08.11.2024 u mbushën katër vjet, nga vdekja Koço Devoles (28.11.1945-08.11.2020) një nga personalitet e shquara të humorit shqiptar: aktor i madh, karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh. Pak kush do të besonte sot se filmi “Gjuetia e fundit” me skenar e regji të Koço Devoles, është prodhuar në vitin 1992, vit kur ra diktatura në Shqipëri!? Njerëzit nuk ngopeshin së pari figurën e Enver Hoxhës,të zhveshur nga gjithë ajo lavdi idiote, që i ishte imponuar shqiptarëve për 45 vjet me rradhë.
Është një telekomedi që zgjat vetëm 46 minuta. Aty shqiptarët të detyruar t’i thoshnin këmbës dorë, e barit bukë, e panë diktatorin ashtu si ishte vërtetësisht: gjakatar, mizor, gënjeshtar, injorant dhe njëherazi qesharak. Merita e skenaristit qëndron, se ndërsa shikon filmin, njeriu qesh e qesh pa mbarim me personazhet sidomos ato të krijuara nga Vasillaq Vangjeli (diktatori), Koço Devole (Sillo), Marjana Kondi, (Nafija), Mehdi Malko, (Xha Braho) etj. Qesh me njeriun, që për 45 vjet e mbajti vendin të rrethuar, të izoluar dhe në mjerim. Po thellë në shpirt ndërsa qesh, njeriu shqiptar ndjen ulërimën therrëse, që i vjen nga thellësia e shpirtit: Si është e mundur të kemi duruar një rregjim të tillë kriminal? Si është e mundur të kemi përplasur duart e të kemi buzëqeshur aq shumë për një tufë kriminelësh, që e zhytën vendin në mjerim e varfëri e i detyruan njerëzit të ktheheshin në qen gjahu për të kënaqur udhëheqësin? Të qeshësh kur të vjen të ulërish e kur thellë në zemër ndjen trishtim për vitet e kaluara dëm, të qeshësh ndërsa sheh veten tënde që edhe bukën e gojës ia fal ‘’i lumtur’’ shtypësve të tu, të qeshësh kur të varrosin së gjalli e nuk ngopen së poshtëruari…
Për mua ky është art i mirëfilltë, maja e groteskut jo vetëm për temën që trajton. Ndërsa filmat “’Kapedani’’, ‘’Pallati 176’’ apo ‘’Shi në plazh’’ i sheh në të gjitha stacionet televizive kombëtare e lokale, kohë e pa kohë, ‘’Gjuetia e fundit’’ e ’’Sillo 2’’, shfaqen shumë rrallë. Nuk jam përkrahës i teorive konspirative, por mendoj se nuk është harresë mos dalja më shpesh në ekrane e filmave të Koço Devoles. Ka kohë që figura e diktatorit, nga disa media po mëtohet të jepet në përmasat e dikurshme si luftëtar, ideolog dhe filozof jo vetëm kombëtar por edhe ndërkombëtar. Korrente të caktuara me pushtet e para, duan të ndryshojnë historinë e të na mbushin mëndjen sidomos të rinjve se ajo kohë nuk ishte aq e keqe, se janë bërë gabime por ka patur edhe të mira se diktaturat duken të këqia por janë të nevojshme etj, etj. Mallakastra madje shpalli qytetar nderi, Mehmet Shehun, një nga kriminelët më të mëdhenjë të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.
Asnjë insitucion shtetëror e shoqëror nuk reagoi. Ka një dorë precise, që kontrollon e drejton këtë lloj propagande. Kjo ka të bëjë me një grup jo të vogël njerëzish, pasardhës të drejtpërdrejtë të diktaturës dhe figurave kryesore të saj, që qeverisin këto 30 vjet Shqipërinë. Nuk mund të pranojnë që vetë ata, baballarët e gjyshërit e tyre ishin kriminelë, ndryshe do t’u hiqnin dekoratat ‘’Hero i Popullit”, do të hapnin dosjet me kohë, do t’iu duhej t’i ndëshkonin, dënonin e të kërkonin falje publike. Mendoj që ishte taktikë e strategji e rafinuar tipike komuniste, që figurën e Koço Devoles e godisnin, përgojonin dhe e linin në harresë, herë pas here, diku në një cep. Gjatë viteve 1970-1977 Koçua është dërguar disa herë në punë të detyruar për “gabime” ideologjike në artin e skenës. Në vitin 1978 ai nis punën në Televizionin Shqiptar si redaktor, skenarist dhe regjisor i programeve artistike. Pothuaj 20 vjet më vonë më 1997, me marrjen e pushtetit nga socialistët drejtori i atëhershëm i RTSH-së e shkarkon si të paaftë. Koçua detyrohet të emigrojë me familjen në SHBA.
Çfarë nuk shpikën e thanë për të! Iu qepën këmba-këmbës këtij krijuesi e aktori të madh, duke e lënë pa punë për shumë kohë kur ishte në kulmin e tij. Ndoshta sot do të kishim Sillo 3, Sillo 4, Sillo 5, për gjithë drejtuesit shqiptarë të demokracisë sikur të mos e mënjanonin. Tashmë shqiptarët janë bindur, që Shqipëria vazhdon të qeveriset nga sillot e soji e sorollopi i tyre. Koçua nuk është më. Po jeta e tij është një shkollë më vete për artin skenik e historinë. Një film dokumentar ashtu shpejt e shpejt për të është shumë pak. Rilindasit e rinjë vazhdojnë të tjetërsojnë qendrat e qyteteve e njëherazi të rrafshojnë kulturën, traditën, historinë, duke ngritur kulturën e betonit e ndërtesave që të marrin frymën, po perfeksionojnë e përjetësojnë shkollën e hajdutëve e të antishqiptarizmit. Kemi një monument të këndshëm të Ollgës (Violeta Manushit) në Pogradec. Po ku e ku figura e saj me atë të Sillos. Nuk mendoj se nesër do të ketë një monument për Edi Ramën, Fatos Nanon, Sali Berishën, Ilir Meten, Lul Bashën apo Spiropalin e Dumën.
Por për Koço Devolen dhe veprën e tij duhet të ketë madje në një nga sheshet më të dukshëm të kryeqytetit. Ai jo vetëm na dha figura dhe skenarë të papërsëritshëm por nga të parët me veprën e tij të pavdekshme “Gjahu i fundit” vrau frikën në fillimet e demokracisë. Edhe sa vjet duhet të presim të ngrihet një monument për të? Do pyesni: kush do e ngrejë monumentin?! Zamirët? Shefqetët? Nuk besoj. Pushtetarët? Kurrë! Piedestalët në Shqipëri mjerisht do të ngelen edhe për shumë kohë bosh, derisa shoqëria shqiptare të kuptojë e vlerësojë bijtë e saj të vërtetë. Sqarim për gjarprinjtë e hijenat, që helmojnë e kafshojnë orë e çast për tu nxirë jetën njerëzve të suksesshëm e të pafajshëm. Në 26 nëntor të vitit 2002, Koçua së bashku me një mikun e tij, kapet nga policia italiane. Akuza: transport i 3 kg. heroinë. Pas tetë muajsh më 24 korrik 2003 lirohet nga burgu italian dhe pas gjyqit në Gjykatë e Riminit merr pafajësinë e më pas dëmshpërblimin për muajt e burgut.