Sport

“Kemi nevojë për të”, legjenda e Chelsea kërkesë “Bluve” për rikthimin e mesfushorit

Kevin De Bruyne pak javë më parë ka bërë të ditur se do të largohet nga Manchester City në fund të këtij sezoni. Tashmë përballë faktit që do të jetë një lojtar i lirë, shumë klube janë vënë pas.

Madje ka edhe nga legjenda të futbollit europian që këshillojnë ish-klubet e tyre për ta transferuar. I tillë është rasti i Joe Cole, i cili u kërkon drejtuesve të Chelsea të bëjnë një lëvizje të tillë.

Kjo pasi sipas legjendës së “Bluve”, londinezët kanë vërtetë nevojë për të, për eksperiencën e belgut dhe për gjithë mësimet e përvojën e tij. Siç dihet në të kaluarën De Bruyne ka mbajtur veshur fanellën e Chelsea, por nuk ka mundur të fitonte besimin e drejtuesve në sezonet 2012-2014.

“A e dini se për kë është i përsosur, a e dini se çfarë…Chelsea. E di që ai ka qenë atje më pare. Nëse unë do të isha te Chelsea dhe jam ulur me bordin, do të thoja  ‘na duhen lojtarë me përvojë’.

Kevin De Bruyne, ai ka rënë pak nga forma e tij, por për atë që ai i jep në dhomën e zhveshjes si fitues, si lider, mund të na duhet vetëm për 30 ndeshje në sezon, ne mund ta menaxhojmë atë”, ka theksuar Cole.