Kulturë

Këngëtari Ardian Trebicka: Këshilltarja e ministrit më grabiti apartamentin

Në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, këngëtari i njohur Ardian Trebicka rrëfen një histori, që prej tre vitesh e ka lënë jashtë banesës së tij.

Sipas tij, gjithçka nisi kur Ines Jaho u ofrua të blinte apartamentin, që ai zotëron në katin e 10-të të pallatit.

Me besimin, se marrëveshja e shitblerjes ishte vetëm çështje kohe, Trebicka e lejoi Jahon të hynte në banesë, për të kryer disa rregullime. Por, marrëveshja nuk u finalizua kurrë.

Kur erdhi momenti, për të firmosur kontratën te noteri, procesi u ndërpre dhe çështja përfundoi në gjykatë.

“Në fund të 2022 doja të shisja një apartament në pronësisnë time për një problem familjar shëndetësor, m’u afrua mbesa e një mikeshe tonë. Kërkesa ishte që të hynte në shtëpi e të bënte rregullimet sipas dëshirës së saj, i thash në rregull dokumentacione nuk bëjmë, po pres që të bëjmë likujdimin dhe mbylljen e kontratës. Kaloi një muaj, kaluan dy, tre, erdhi janari, isha i detyruar për t’i thënë që ne bashkë duhet të bëjmë një kontratë një-mujore që brënda kohes duhet të likujdojmë pronën.

Në ato momente u shfaq pretendimi që prona ishte MND sipas noteres Dhimitra Qarri, sepse atje po i bënim dokumentacionet. Por, çudia më e madhe ishte që në datën 8 shkurt do lidhnim kontratën, ndërsa në datën 7 zonja Ines Jaho kishte hapur dy gjyqe. Një ishte për kthimin e investimit që kishte bërë në apartament, që unë s’kam ndonjë letër për ato investim, unë e lejova të bënte investimin sepse do ta blinte. Gjyqi tjetër ishte për bllokimin e pronës”, u shpreh këngëtari.

Ines Jaho e paditi Ardian Trebickën, duke kërkuar kthimin e investimit të pretenduar dhe bllokimin e pronës, ndërkohë që ajo vijon të jetojë në apartament pa kontratë qiraje dhe pa kontratë shitblerjeje.

“Ka tre vjet që nuk është e lirë. Zonja rri pa qira, pa kontratë. Jashtë çdo lloj ligji, jashtë çdo lloj rregulli. Unë kam shkuar dhe në Prokurori dhe më kanë thënë je në proces gjyqësor. Kam shkuar dhe në polici, je në proces gjyqësor. Sot për shembull, erdhi një letër nga Prokuroria se zonja ka shkuar, sepse i pikon banjoja. E më ka çuar me banjon time, që pikon banjo, për t’i rregulluar unë banjon time e ajo të vazhdojë të rrijë e qetë, kupton?”, sqaron ai.

Sipas Trebickës, gjatë këtyre tre viteve, ai ka pasur akses në banesën e tij vetëm dy herë, dhe vetëm në prani të një eksperteje vlerësuese.

Ai pretendon, se shumat e investimit të kërkuara nga Jaho janë të fryra dhe pa fatura tatimore, duke theksuar, se ajo mban edhe funksionin e këshilltares së Ministrit të Financave.

Ndërkohë, Trebicka thotë, se ka pësuar një dëm financiar prej të paktën 1 mijë euro në muaj, aq sa do të përfitonte, nëse apartamenti do të jepej me qira.

Nga ana tjetër, Ines Jaho jep një version tjetër të ngjarjes.

Në një komunikim telefonik, ajo deklaron, se ka qenë Ardian Trebicka ai, që ka nxjerrë pretekste për të mos firmosur kontratën e shitjes te noteri, duke i kërkuar madje edhe pagesë qiraje për një apartament, që ajo pretendon, se do ta blinte.

Ines Jaho: Unë për momentin jam me ethe, se jam sëmurë, por mund ta konsumojmë këtu në celular këtë gjë. Nuk mundet të vini të filmoni me kamerë në derën e dikujt, është antiligjore.

Gazetarja: A është në pronësinë tuaj apartamenti?

Ines Jaho: Po më ndërpret prap dhe do fillojmë nga fillimi.

Gazetarja: Jo, jo. Nuk do fillojmë nga fillimi. Duam thjesht përgjigjje.

Ines Jaho: Në momentin që kemi qenë te noteri, zoti Trebicka filloi që të nxirrte pretekste nga më të ndryshmet për nënshkrimin e kontratës. Pastaj, më ka kërkuar dhe një muaj qira, edhe pse unë isha për ta blerë, megjithatë unë ia kam siguruar dhe në kontratën e qirasë thuhej që kjo qira do paguhet derisa të përfundojnë procedurat e shitblerjes. Zoti Trebicka është thirrur nga noteri disa herë, hajde të zgjidhni këto mosmarrëveshje që keni dhe ai nuk është paraqitur.

Lidhur me apartamentin e këngëtarit Ardian Trebicka, mësojmë, se çështja është ndjekur në dy zyra noteriale.

Noterja Peri Bodinaku pohon se ka qenë Ines Jaho ajo, që nuk ka pranuar të firmosë kontratën.

Peri Bodinaku: Zonja Ines refuzonte të përgjigjej nëse do firmoste kontratën apo jo, në vlerën e 150 mijë euro, duke i marrë zotit Trebicka gjithë shpenzimet. Zonja nuk i përgjigjej pyetjes a do të firmosesh ti kontratën me 150 mijë euro. Në procesverbal është shënuar që zonja nuk përgjigjej.

Notere Dhimitra Qarri: Do t’ju lutesha që ta dërgoni me shhkrim, të lutem.

Ndërsa noterja tjetër, Dhimtra Qarri, ka njoftuar palët, se kontrata e shitjes nuk mund të realizohet për shkak se prona ka një shënim ND, pasi nuk është rregulluar marrëdhënia truall-ndërtesë.

Juristi Fatmir Laçej sqaron se noteri nuk ka të drejtë të bllokojë procesin e shitblerjes, nëse palët janë dakord ta vijojnë atë. Megjithëse Ines Jaho kërkon kthimin e investimit, duke argumentuar, se banesa ka ndryshuar ndjeshëm nga ndërhyrjet e kryera dhe se pronari, sipas saj, ka ndryshuar mendim, për ta shitur apartamentin prej më shumë se dy vitesh.

“Në rastin konrket do thoja që kjo varet nga palet. Është një kufizim, kufizim në kuadrin e shitjes së një apartamenti, në një pallat të tërë, në një godinë të tërë. Kështu që, nëse palet do ta pranonin këtë, noteri nuk ka pse e pengon”, u shpreh juristi.

Për humbjen e qirasë dhe dëmin financiar të Trebickës, ajo deklaron, se nuk ka asnjë detyrim dhe refuzon të japë përgjigje të mëtejshme.

Gazetarja: Përpara se të mbaronte afati i kontratës mujore? E keni hedhur në gjyq?

Ines Jaho: Po, po. Shtëpia, po të shikosh fotot, si ishte dhe se si është bërë, normal i ka hipur lakmia. A nuk e di… nëse ai mendonte që unë vërtet nuk do ta blija, le të firmoste të ma jepte këtë të drejtë dhe nëse lekët unë s’do ja kaloja te noterja, kontrata prishej.

Gazetarja: Keni qenë ju, apo zoti Trebicka që nuk ka pranuar të firmosë kontratën e përgatirur nga noterja.

Ines Jaho: Zoti Trebicka pra, nuk ka qenë dakord. Ishte zoti Trebicka që tha pastaj unë nuk e shes më, domëthënë në momentin që ne flasim ka dy vite, që ka ndryshuar vullnetin për të shitur.

Avokati Klaudi Zholi e cilëson situatën të paligjshme, duke theksuar, se zaptimi i një prone pa titull pronësie apo kontratë është në kundërshtim me Kodin Civil.

Sipas tij, vakumi ligjor i detyron pronarët t’u drejtohen gjykatave, ndërkohë që në këto kushte është e ligjshme dhe moralisht e justifikuar edhe ndërprerja e energjisë elektrike dhe ujit, për sa kohë prona mbahet nga një person tjetër, pa të drejtë ligjore.

“Ky veprim është i paligjshëm. Nuk diskutohet ky fakt, pasi posedimi në mënyrë të paligjshme pa një titull, qoftë pronësie, qoftë kontratë-qira, apo kontratë hua-përdoreje nga zonja për apartamentin në fjalë, është i paligjshëm. Kodi Civil e ka parashikuar që në këto raste mund të bëhet padi për lirim-dorëzimin sendi dhe shpërblim për përdorim sendi nga ana e pronarit, por klëto lloj padish, për situatën aktuale që jemi në sistemin e drejtësisë që jemi vonojnë shumë. Mund të arrijë deri në dy deri në dhjetë vite”, sqaron avokati.