Për herë të parë, Apeli i GJKKO ka kundërshtuar vendimin e sekuestrimit të telefonave dhe sendeve personale.
Kështu, Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar pjesërisht vendimin e Shkallës së Parë ndaj zyrtares së lartë të Policisë së Shtetit, Ervina Gjana.
Në dhjetor GJKKO i refuzoi Gjanës kthimin e disa celularëve të sekuestruar gjatë kontrollit të banesës së saj dhe bashkëjetuesit R. Hristic, për llogari të hetimit të SPAK për një grup të dyshuar kriminal që abuzonte me tenderat e AKSHI-t.
Në banesën e Gjanës janë sekuestruar 8 telefona celularë dhe dy laptopë dhe Apeli vendosi të kthejë disa nga pajisjet. Në të njëjtin vendim Apeli i Posaçëm urdhëron ndalimin e publikimit apo dekonspirimit të këtij vendimi deri në mbylljen e hetimeve paraprake.
Vendimi i Apelit të GJKKO:
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 05.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 40 akti, datë 27.01.2026 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses E.Gj: “Ankim kundër vendimit nr. 834, datë 30.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt:
Kërkesë për verifikimin e ligjshmërisë së ekzekutimit të vendimit nr. 812, datë 15.12.2025, për lejimin e kontrollit personal dhe të vendeve, përsa i përket sekuestrimit të sendeve personale të një personi të tretë, si dhe kthimin e sendeve të sekuestruara pa bazë ligjore”, duke pranuar pjesërisht ankimin e znj. E.Gj, ndryshoi vendimin nr. 834, datë 30.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjithashtu, disponoi për ndalimin e publikimit apo dekonspirimit të këtij vendimi deri në mbylljen e hetimeve paraprake, në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale”.