Një përplasje publike ka tërhequr vëmendjen e rrjeteve sociale dhe, ku aktorja, tashmë e njohur si influencer, Eliona Pitarka është përfshirë në një debat me pediatrin që ndjek prej vitesh shëndetin e vajzave të saj, mjekun Edi Tushe. Gjithçka nisi pas disa postimeve të mëhershme të aktores, ku ajo ndau informacione të përgjithshme mbi ushqimin e fëmijëve, të cilat, sipas saj, i ishin komunikuar nga pediatri. Këto postime u interpretuan nga mjeku si përdorim i paautorizuar i emrit të tij në kontekstin e dietave për fëmijë, çka solli edhe një reagim të fortë publik prej tij.
Përmes një deklarate zyrtare, pediatri Tushe theksoi se nuk ka dhënë asnjë autorizim që emri i tij të përdoret për promovim dietash apo këshillash ushqimore, duke nënvizuar se çdo rekomandim për fëmijët duhet të bëhet vetëm pas vizitave dhe vlerësimeve të detajuara mjekësore. Ai paralajmëroi gjithashtu se çdo përdorim i mëtejshëm i emrit të tij pa leje do të trajtohet si shkelje dhe, nëse do të jetë e nevojshme, do të ndiqet edhe ligjërisht.
Reagimi i Eliona Pitarkës nuk ka vonuar. Përmes disa InstaStory-ve sqaruese, aktorja u shpreh e tronditur dhe e lënduar nga mënyra se si situata mori një tjetër drejtim publik. Ajo theksoi se informacionet e ndara prej saj kanë qenë vetëm të përgjithshme, pa qëllim promovimi apo përfitimi personal dhe pa lidhur emrin e mjekut me produkte apo dieta specifike.
Pitarka theksoi gjithashtu se marrëdhënia e saj me mjekun ka qenë gjithmonë korrekte dhe profesionale, duke zbuluar se në komunikime private kishte marrë edhe miratimin e tij për të ndarë informacione të përgjithshme me prindër të tjerë. Madje, sipas saj, mjeku e kishte inkurajuar që të vazhdonte këtë qasje në ndihmë të nënave.
Në përfundim të reagimit, aktorja nënvizoi se do të vazhdojë të jetë e kujdesshme dhe e përgjegjshme në komunikimet publike, duke theksuar se asnjëherë nuk ka pasur synim të dëmtojë figurën e një profesionisti apo të përhapë dezinformim, por vetëm të ndajë eksperienca personale në ndihmë të prindërve të tjerë./ E.K


