Aktualitet

Kishte humbur kontaktet me familjen prej 12 vitesh, shqiptari gjendet i gjallë në burgjet e Assadit

Eksperti i Sigurisë në Kosovë, Bedri Elezi tregoi se një shqiptar i Kosovës kishte 12 vite pa kontaktuar me familjen e tij pasi kishte qenë i burgosur i regjimit të Asaddit.

Në një intervistë për Euronews Albania, Elezi tha se në vitin 2012 ky shtetas kishte shkuar në Siri dhe prej aso kohe ndodhej në burgjet e Bashar al-Assad.

Madje, eksperti i sigurisë tregoi dhe më tepër detaje mbi historinë e tij duke bërë me dije se shqiptari me qëllim për t’iu ikur forcave të Asaddit kishte kërcyer nga një urë e lartë dhe kishte thyer këmbët e më pas e kishin kapur.

 “Ka pasur një situatë kaotike ku qytetarët dhe familjarët nuk kanë pasur mundësi te kenë informacione sidomos për personat e burgosur në Siri dhe dua të përmend një rast së fundmi ku një qytetar nuk kishte komunikuar me familjen e tij që nga viti 2012 deri më sot dhe ditën e diel kur ky burg që rrinte ai është marrë nën kontroll nga rebelët sirianë dhe shqiptari ka njoftuar familjen e tij pas lirimit që është gjallë, shëndosh e mirë dhe mezi pret që ti krijohen kushtet për tu riatdhesuar.

Ai është nga Komuna e Hanit të Elezit dhe kishte shkua në Siri në vitin 2012. Në fakt unë kisha komunikuar me familjen e tij dhe ju kisha thënë se ai ishte te burgu në Sinaja dhe se është gjallë. Ishte vështirë për të na besuar madje kemi pasur raste që dhe familjarët na kundërshtonin, duke thënë që kujdes se ne nuk kemi informacione fare për të afërmin. Ky person ka qëndruar 12 vjet në burg dhe në përpjekje për tu larguar forcave të Asaddit kishte kërcyer nga nje urë e lartë dhe kur kishte rënë kishte thyer këmbët dhe atë e kishin kapur dhe vendosur në burg dhe familja e tij nuk kishte informacione për fatin e tij dhe këtë të djelë ai foli me familjarët dhe u tha që është shëndosh dhe mirë”, tha eksperti Elezi.

Rrugët e Damaskut u mbushën të enjten me qytetarë që festonin ikjen e Bashar al-Assad në Rusi, një zhvillim që i dha fund më shumë se 50 viteve të sundimit brutal të familjes së tij në Siri .

Në një vigjilje që pasoi në Sheshin Al-Hijaz aty pranë, mijëra burra, gra dhe fëmijë qanë dhe përqafuan njëri-tjetrin, disa prej tyre duke mbajtur në duar foto të së dashurve të tyre të zhdukur. Shumë familje, kërkuan nëpër burgje e morgje, si dhe nëpër dokumentet e regjimit, por nuk gjetën asnjë gjurmë të njerëzve të tyre. Vendi tani duhet të përballet me faktin se shumë nga 130,000 personat e zhdukur mund të humbasin përgjithmonë.