Ndërsa drejtuesit e “Bankers” janë në proces penal, Spitali Amerikan vijon të raportojë humbje fiktive miliardëshe dhe të vjedhë shtetin, pa u prekur nga Tatimet dhe SPAK…
Pas arrestimeve në aferën “Bankers”, një tjetër skemë e ngjashme mashtrimi fiskal vijon pa ndërprerje në sektorin e shëndetësisë private. Dokumentet tatimore tregojnë se Klodian Allajbeu, përmes Spitalit Amerikan dhe bizneseve të tjera, ka raportuar për 13 vite rresht humbje fiktive miliardëshe, duke fshehur fitimet reale dhe duke shmangur pagesën e taksave. Vetëm për vitet 2023–2025, bilancet deklarojnë 8.2–9 miliardë lekë humbje, ndërsa spitali operon me çmime të larta dhe monopole fitimprurëse. Skema shtrihet edhe te kompani të tjera të grupit Allajbeu, ndërkohë që Tatimet i pranojnë bilancet si të rregullta dhe SPAK, pavarësisht denoncimeve dhe raporteve zyrtare, nuk ka nisur ende ndjekje penale.
Ndërkohë që drejtuesit e kompanisë koncesionare “Bankers” u arrestuan dhe janë në proces penal për mashtrim fiskal me fatura dhe bilance tatimore false, oligarku Klodian Allajbeu vazhdon të kryejë të njëjtin krim financiar ndaj shtetit.
Sipas informacionit që “Pamfleti” ka siguruar nga burime brenda Drejtorisë së Tatimeve, rezulton se Spitali Amerikan i Allajbeut ka vepruar njësoj si “Bankers”, duke raportuar bilance me humbje miliarda lekë edhe për vitet 2023–2025.
Për këto tre vite, Klodian Allajbeu ka mashtruar duke raportuar bilancet e Spitalit Amerikan me 8.2 deri në 9 miliardë lekë humbje, bilance të cilat, në bashkëpunim me drejtues të Tatimeve dhe të Qendrës Kombëtare të Biznesit, nuk i ka publikuar në faqen zyrtare të ekstraktit të kompanisë.
Këtë spital, me fitime faktike shumë të larta, Klodian Allajbeu e nxjerr me humbje prej 13 vitesh, duke i fshehur dhe vjedhur shtetit të ardhura edhe përmes rimbursimit të TVSH-së.
Është absurde të mendohet se del me humbje një spital me çmime tepër të larta, ku shkojnë për trajtim biznesmenë, trafikantë, qeveritarë dhe politikanë të pasur, madje që vetëm nga monopoli i trombozës fiton rreth 9 milionë euro në vit dhe 7 milionë euro neto në vit nga PPP-ja e Dializës.
Por sipas të dhënave zyrtare, oligarku, i cili përveç biznesit spitalor përfiton miliona euro nga tenderë dhe koncesione në shëndetësi, mashtron edhe me bilancet e kompanisë “Spitali International” (ish-“Hygeia”), universitetit “Western Balkans” dhe dhjetëra bizneseve të tjera të tij në resorte, pishina, energji, ndërtime, telekomunikacion, inerte, minerale, tregje shumice, peshkim, trajtim mbetjesh spitalore etj.

Për grupin e Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu deklaron humbje miliona euro, sikur po kryente bamirësi, kur në fakt aplikon çmime tepër të larta dhe zhvat pacientët, duke i lënë jashtë derës nëse nuk kryejnë pagesat paraprake.
Sipas dosjes tatimore, Spitali Amerikan për vitin 2013 ka raportuar 850 mijë euro humbje; në vitin 2015 ka raportuar 750 mijë euro humbje; në vitin 2016 ka raportuar 410 mijë euro humbje; dhe kështu në vitet 2017–2023, duke i çuar humbjet vjetore deri në 3–4 milionë euro.
Ndërkohë, Tatimet, duke e ditur se ai ka lidhje pazaresh me kryeministrin Edi Rama, ia pranojnë bilancet false sikur të ishin të sakta, në vend që ta bllokonin biznesin, ta kalonin në faliment, ta vinin në proces sekuestrimi dhe ta kallëzonin penalisht për mashtrim.
Madje, për të justifikuar mashtrimin me bilancet, Klodian Allajbeu, më 1 mars 2022, e zvogëloi fiktivisht kapitalin, duke e deklaruar 9 miliardë lekë nga 29 miliardë lekë që e kishte realisht.
Të njëjtën skemë mashtrimi me bilance false, Klodian Allajbeu vazhdon ta përdorë edhe me firmën mjekësore “Anamark”, me kompaninë e tregut të madh ushqimor “EKMA”, si dhe me kompanitë e tjera të tij “Energy Project”, “N&S Telecom”, “Medical Recycling”, “Blue Sea Mariculture”, “Con Energy Albania” dhe “Future Cement”.

Sipas informacionit, vetëm nga mashtrimi me bilancet false, Klodian Allajbeu i vjedh shtetit rreth 6.2 milionë euro në vit nga tatimi mbi xhiron, të ardhurat, fitimin, si dhe nga taksat dhe tarifat lokale e qendrore.
Faktet tregojnë se, përmes bizneseve të tij, Klodian Allajbeu ka kryer mashtrime dhe evazion fiskal, ndërsa SPAK, megjithëse ka denoncime, raporte dhe kallëzime për të, nuk po e merr ende të pandehur./Pamfleti