Politikë

Klodian Braho vë në lëvizje dosjen “Krifca”: si u bllokua hetimi i fondeve IPARD nën justifikimin e “sekretit”

Nga kallëzimi i OLAF te presioni i EUROJUST, pse Altin Dumani e mbajti dosjen në fazë “paraprake”, ndërsa Klodian Braho e rihap që në ditët e para të mandatit, mes rrezikut të humbjes së fondeve IPARD-III për Shqipërinë…

Gjatë raportimit në Parlament më 27 tetor 2025, pyetjes për zvarritjen e hetimit të Frida Krifcës lidhur me fondet bujqësore “IPARD II” të dërguara nga BE, ish-drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, iu përgjigj:

“Hetimet janë në fazë paraprake dhe përbëjnë sekret.”

Më 25 dhjetor, SPAK, duke iu përgjigjur interesit të mediave dhe publikut për fatin e dosjes së fondeve të BE-së, ripublikoi raportin e transparencës për muajin nëntor, duke përsëritur refrenin dyvjeçar të Altin Dumanit se hetimet janë në fazë paraprake dhe përbëjnë sekret hetimor.

Ky sqarim i përket muajit nëntor, kohë kur vazhdonte mashtrimi se hetimet ishin në fazë paraprake, ndërkohë që sipas Kodit të Procedurës Penale, për dosjet me prova të gatshme nga partnerët, kjo fazë zgjat tre muaj, ndërsa Altin Dumani e mbajti tre vite të bllokuar dosjen “Krifca”.

Por sipas informacionit të ardhur në “Pamfleti”, drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, dy ditë pas nisjes së detyrës, i ka “hequr pluhurin” dosjes “Krifca”, si dosje e partnerëve OLAF dhe EUROJUST, por edhe me ndikim të rëndë ekonomik, pasi për shkak të mosçuarjes përpara drejtësisë të hajdutëve të fondeve “IPARD II”, BE i ka bllokuar Shqipërisë fondet “IPARD III” për bujqësinë.

Për më tepër, drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, është prokurori i hetimit të dosjes “Krifca” dhe i ka kryer procedurat hetimore që një vit më parë, të mbështetura në hetimin e plotë që BKH ka kryer për ish-drejtoreshën e AZHBR-së, Frida Krifca, vartësit e saj dhe subjektet që kanë zhvatur fondet e BE-së.

Por ish-drejtuesi Altin Dumani, për më shumë se një vit, nuk dha miratimin për mbylljen e hetimeve, për procedimin penal dhe kalimin për gjykim të Frida Krifcës dhe grupit të saj, duke justifikuar bllokimin e dosjes me pretendimin se hetimi ndodhej ende në fazë paraprake.

Në shkurt 2023, OLAF dorëzoi kallëzimin penal në SPAK, të shoqëruar me dosje të plota hetimore. Dhjetë ditë pas kallëzimit, BKH nisi hetimet paraprake, por brenda një muaji gjithçka u bllokua pa asnjë njoftim apo akt zyrtar.

Më 25 mars 2024, OLAF i dërgoi një letër zyrtare ish-drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, duke kërkuar që hetimet për këtë dosje të mbylleshin brenda muajit prill 2024, përndryshe do të kërkoheshin veprime nga EUROJUST. Pavarësisht kësaj, hetimi i dosjes “Krifca” vijoi të mbahej i bllokuar.

Sipas burimeve të “Pamfleti”-t, bllokimi i dosjes me justifikimin se ishte në hetim paraprak lidhej me synimin për ta çuar çështjen drejt parashkrimit procedural, pasi gjatë hetimeve BKH kishte konstatuar se në vjedhjen e fondeve ishin implikuar figura të larta të pushtetit: kryeministri, ministra, deputetë, kryebashkiakë, drejtues policie, oligarkë dhe trafikantë të lidhur me kupolën politike.