Kënga e Skraparit, është aq e vjetër sa vetë historia që ka ndjekur përgjatë shekujve kulturën muzikore shqiptare, sepse “origjina e polifonisë është e shkrirë me vetë origjinën e muzikës
Klodian Qafoku
PRELUD
“Eeeee, oo…”, në vend të hyrjes
“Skrapari në këngë”, është një shkrim i shkëputur prej librit me të njëjtin titull, një botim i gërshetuar mes tekstit dhe muzikës, ku në brendësi të saj gjendet një CD shoqëruese me këngë të inçizuara posaçërisht për këtë qëllim, ku po ashtu janë shfrytëzuar edhe këngë më të hershme të interpretuara nga grupe e këngëtarë që kanë lënë gjurmë në muzikën popullore të Skraparit. Sa i përket tekstit, ky album në faqet e tij përmban informacion thelbësor mbi iso-polifoninë skraparase, pjesë e një studimi shkencor të bërë gjatë hulumtimeve të mia si etnomuzikolog, pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit. Nga ajo kohë, në arkivin e IAKSA kam përzgjedhur një pjesë të këngëve, kryesisht nga regjistrimet muzikore në ekspeditat e kryera në terren nga etnomuzikologë, studiues të fjalës e të valles, si dhe nga paraqitjet e grupeve folklorike të Skraparit në Festivalet Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës dhe Beratit. Ky album përmban 16 këngë, të cilat janë nektari i nektarit, se është e pamundur që në një CD të vetme të përfshihet e gjithë pasuria muzikore popullore e asaj zone. Prej tyre jemi munduar të përzgjedhim esencën, duke pasur parasysh larminë e varianteve melodike pentatonike (që mos t’i ngjajnë njëra-tjetrës), duke respektuar ndarjen gjinore, burra-gra; tematikat e këngëve (historike, dasme, dashurie, lirike etj), por i jemi referuar edhe stileve individuale që korifenjtë e këngës skraparase, na kanë lënë pas si modele interpretimi të saj. Do të dëshironim që ky projekt të shënonte një hap në drejtimin e duhur sa i përket rikthimit të vëmendjes ndaj Skraparit kulturor dhe trashëgimisë së tij të pasur, e njëherazi të shërbejë si një lloj ftese për të gjithë të tjerët për të kontriuubuar në evidentimin e vlerave të Skraparit në fusha të tjera të dijes, kulturës, shkencës etj.
Ky botim ka zanafillën e tij që lidhet me datën 5 shtator, përvjetori i 80-të i çlirimit të Skraparit nga okupatori fashist. Isha aty së bashku me familjen time, pranë një zjarri të ndezur nga të rinjtë e të rejat e Skraparit, buzë Osumit dhe kanioneve në Hambull. Pikërisht nga ai zjarr i madh lindi brenda meje një “flakë”, e cila ndezi idenë e këtij botimi që u mundësua me mbështetjen bujare të Bashkisë Skrapar, e posaçërisht të kryetarit të saj z. Adriatik Mema. “Skrapari” është kryefjala e këtij botimi. Është kryefjala pasi Skrapari ka nxjerrë shumë personalitet por dhe se nga ky vend janë frymëzuar poetë, artistë e shumë personalitete të fushave të ndryshme. Ashtu si një skraparlli pohon “eo” në vend të po-së, këto dy zanore të cilat janë nismëtare të fillimit të këngës skraparase, janë dhe si hyrje e këtij botimi. Shpresojmë dhe dëshirojmë shumë që, ky album të jetë fillimi i një rrugëtimi, ku edicione të tjera, do të pasurojnë fondin e artë të trashëgimisë kulturore shpirtërore dhe materiale të Skraparit.
Pozita gjeografike e Skraparit
Skrapari është një krahinë e brendshme, e thellë dhe ka më tepër një territor të thyer malor e kodrinor. Ka një sipërfaqje prej 775 km2 dhe lartësi mesatare 788m. mbi nivelin e detit. Shtrihet në pjesën veri-lindore të rajonit jugor të vendit, midi paraleleve 40’e 44’ gjerësi gjeografike veriore dhe 40’40’ gjerësi gjeografike jugore, si dhe meridianëve 20’ e 04’ gjatësi gjeografike lindore dhe 20’27 gjatësi gjeografike perëndimore. Ai ndodhet në juglindje të Beratit dhe ka nga jugu Dangëllinë, nga lindja Vithkuqin dhe Oparin, nga veriu Gramshin dhe nga perëndimi Dëshnicën.
Sipas hartës administrative, Skrapari ka bashkinë e saj në qytetin e Çorovodës, e cila përbëhet nga 8 njësi administrative: Çorovodë, Qendër Skrapar, Bogovë, Vëndreshë, Çepan, Potom, Leshnjë, Gjerbës dhe Zhepë.
Skrapari në këngë, si ekstrakt i iso-polifonisë toske
Iso-polifonia popullore shqiptare, kjo dukuri e jashtëzakonshme e të perceptuarit dhe të interpretuarit të muzikës, ka qenë objekt studimi nga muzikologë shqiptarë dhe të huaj. Iso-polifonia e Shqipërisë së Jugut, përfaqëson muzikën folklorike të trevave Labëri, Toskëri, Çamëri dhe Myzeqe. Këto krahina etnografike kanë karakteristikën e të kënduarit polifonik me iso. Kjo traditë, të cilën populli e ka mbartur dhe transmetuar për shekuj me radhë, vjen e paraqitur në forma dhe elemente shumë të larmishme. Të gjitha këto forma, të cilat kanë kaluar nëpërmjet një procesi historik dhe kulturor, kanë bërë të mundur pasurimin dhe ruajtjen e vlerave artistike-kulturore.
Skrapari hyn në zonën e toskërisë, e cila karakterizohet nga një sërë tiparesh dialektore, që i japin një fizionomi të vetën, dhe që e dallojnë në pikëpamje etnomuzikore nga polifonia tjetër e Shqipërisë jugore, nga polifonia labe. Duke qenë e rrethuar nga zona ku shumëzërëshi tosk është mjaft i theksuar, në mjaft tipare ngjason dhe me të kënduarit e krahinave përreth Beratit, fshatrave të Gramshit, Dangëllisë, Përmetit, Pogradecit dhe Kolonjës.
INTERMEZZO
Në brendësi të këngës…
Kënga e Skraparit, është aq e vjetër sa vetë historia që ka ndjekur përgjatë shekujve kulturën muzikore shqiptare, sepse “origjina e polifonisë është e shkrirë me vetë origjinën e muzikës, e për më tepër studimet e origjinës së saj shkojnë thellë e më thellë në origjinën e njeriut e të civilizimit tonë”. Etimologjia e fjalës polifoni vjen prej greqishtes së vjetër “polyphonòs”, që do të thotë, “shumë zëra”. Fillesat e polifonisë si praktikë muzikore, edhe sot e kësaj dite mbeten pa shpjegim për studiuesit apo kërkuesit që hulumtojnë mbi muzikën si fenomen. Gjithçka që dimë mbi polifoninë, si mënyrë e veçantë e të shprehurit në muzikë, bazohet në shkrimet e lashta (sidomos në ato greke), apo në zbulimet arkeologjike të cilat kanë ndriçuar sadopak njohuritë tona për të. Por, shpesh nëpër shkrime të ndryshme janë bërë dhe supozime apo janë hedhur teza të cilat herë – herë kanë gjetur mbështetje dhe janë përkrahur nga studiues të ndryshëm.
Përsa i përket origjinës së polifonisë sonë popullore ka mendime të ndryshme nga studiues të ndryshëm, qoftë shqiptarë apo të huaj. Ata mendojnë se ky lloj i polifonisë me iso, ka buruar në vend. Ramadan Sokoli, lidhur me këtë çështje, mendon se “… vetë emërtimi krejt shqip i përbërësve të polifonisë sonë popullore, ashtu si dhe tiparet e saj origjinale, dëshmojmë se ajo është trashëgimi e një traditë të lashtë që ka lindur këtu në vend ” ose sic thotë Blair, “Këngët dhe format popullore janë historia e parë e kombeve dhe shëmbëlltyra më autentike e zakoneve të tyre”.
Horizonataliteti melodik
Në këngën shumëvalëshe të Skraparit, shpesh-herë krijohet tendenca për ta përdorur zërin si një instrument muzikor. Horizontaliteti melodik dhe strukturor i këngeve skraparase dhe i toskërisë në veçanti, është krahasimi më i vlefshëm në raport me këndimin vertikal melodik dhe strukturor të këngës labe. Në këtë pamje horizontale duket mjaft qartë melodika pentatonike, variacionet e jashtëzakonshme, struktura ritmike e lirë, veprimet imitative, dinamizmi që krijon në marrdhënie marrës-pritës e më në fund isoja, ajo pa të cilën kënga polifonike do të ishte pa një themel, shtrat apo qëndresë. Si një dukuri e tillë, mbi këto variacione janë ndërtuar shumë e shumë këngë të tjera.
Llojet e këngëve
Skrapari hyn në zonën karakteristike të tre-zërëshit polifonik vokal. Ajo ndahet në këngë burrash dhe këngë grash. Përgjithësisht numrin më të madh dhe më interesantin në repertorin e këngëve të vjetra të grave e përbën rituali i dasmës. Ndërmjet llojeve të shumta të këngëve të vjetra, kënga e dasmës del si një nga realizimet më tipike e paraqitur nën vleftën artistike dhe tradicionale. Gjithashtu shfaqen me interes dhe formacionet e valleve, të cilat luhen pa shoqërimin e instrumentave popullorë sepse “…Skrapari është e vetmja trevë e iso-polifonisë toske, ku këngët dhe vallet vazhdojnë të këndohen në mënyrën e hershme “a capella”.
Vallet
Vallet shoqërohen me këngë nga vetë marrësi, pritësi dhe iso-bërësit. Zakonisht karakteri i valleve të kënduara si nga burrat dhe nga gratë, është humoristik si: “Dardha rrumbullake”,”Plaku i dasmës”, etj. Në strukturat melodike, ritmike, etj, kënga e burrave dallon nga kënga e grave, e cila karakterizohet në një organizim të ri të elementeve e varianteve muzikore, dhe nga përmbajtja e tyre ideo-emocionale.
“Vallja e Skraparit, Mozaik i gurtë”, i vendosur brenda lokal “Verorit”, Çorovodë
Autorë: Agim Nebiu & Nesim Fusha
Veglat popullore
Përsa i përket veglave popullore, Skrapari i përket një zone në të cilën gjenden vegla muzikore të prodhuara në mënyrë artizanale, të pa temperuara si: fyejtë, pipëzat, pilipizgat, gurët, këmborët etj. Në vecoritë e ndërtimit melodik e ritmik konstatojmë përngjasime me muzikën vokale me iso, psh: dy fyej marrin rolin e marrësit dhe pritësit, kurse pipëzat atë të isos. Mund të ndodh dhe e kundërta, pra ka një larmi variacionesh, bazuar në shumëzërëshin vokal tosk. Përgjithësisht në meloditë e veglave tradiocionale konstatojmë pjesë muzikore të lidhura ngushtësisë me polifoninë toske, por dhe me atë labe.
Veshje bariu, Fillimi i shek. XX, në foto Myrteza Sulçe.
Repertori
Repertori i këngëve polifonike të Skraparit në ditët e sotme, parë kjo në veprimtaritë folklorike dhe festivalet e pas viteve ‘88, përbëhet nga krijime të reja, brenda shtratit folklorik e tradicional, krijime të kuptuara në zhvillimin dhe pasurimin e elementeve të reja. Mbi këtë pamje janë ndërtuar këngët e ashtuquajtura “folklori i ri” e më pas “lëvizjet amatore”, arsye këto të cilat të çojnë në një fenomen sa aktual aq dhe të rëndësishëm.
E rëndësishme është fakti se pjesa më e madhe e këngëve të Skraparit kanë pika të përbashkëta ndërmjet tyre, të cilat ndeshen në drejtime të ndryshme tek kadenca, metri, ritmi dhe herë-herë tek formulat melodike. Sa më shumë të ekzistojnë këto pika të përbashkëta, aq më shumë këngët janë më afër midis tyre, dhe e kundërta, sa më të rralla të jenë elementet e përbashkëta, aq më të largëta janë variantet.
Transmetimi i traditës
Këngën e Skraparit e gjejmë të shfaqur dhe në formacionin e të kënduarit të fëmijëve apo të rinjëve, të cilët përgjithësisht e interpretojnë këngën si pjesë e ritualeve të jetës. Është me interes të thuhet se fëmijët janë ata të cilët duhet të trashëgojnë këngën nga prindërit apo nga gjyshërit, ta ruajnë dhe ta përcjellin më tej këtë trashëgimi. Në ditët e sotme, globalizimi duket se po e tkurr dita-ditës traditën dhe kulturën e të parëve tanë. Çmojmë se organizmat shtetërorë e kulturorë duhet të ndërmarrin hapa të rëndësishme në këtë drejtim.
Mbecë more shokë mbecë
Një ndër këngët tipike skraparase mbetet kënga “Mbeçë more shokë mbeçë”, e cila mund të cilësohet kryekënga e Skraparit, e kënduar me mjeshtëri nga Demir Zyko dhe grupi i burrave të fashatit Gjerbës. Si variant kënge, “Mbeçë, more shokë, mbeçë”, është botuar me titullin “Urës së qabesë”, në vitin 1854 nga mbledhësi dhe botuesi i huaj i folklorit letrar, J.G.Hahn me botimin e “Albanesischen Studien”.
Ky variant apo shumë të tjera, paraqet tipin më të zhvilluar të melodikës toske. Për here të parë në Shqipëri, kënga “Mbeçë, more shokë, mbeçë”, është inçizuar dhe transkriptuar nga studiuesi Beniamin Kruta në ekspeditën e parë shkencore në rrethin e Skraparit, në tetor të vitit 1966, pasi deri më atëherë, kënga e Skraparit nuk ka qenë objekt i ndonjë studimi te veçantë. I vetmi rast, ka qenë ai i ekspeditës shqiptaro-gjermane, në vitin 1957, të cilët kryen disa inçizime këngësh në zonën e Skraparit, të ruajtura në Arkivin Zanor të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit.
Foto nga Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, 1983. Në foto Demir Zyko dhe Neshat Hebibasi nën interpretimin e këngës “Mëmëdhe quhet toka”.
Zërat
Ashtu si thamë pak më sipër, tre-zërëshi është forma bazë e shfaqjes së iso-polifonisë, ku zërat janë të individualizuar jo vetëm në pikëpamje melodike, por kanë edhe përcaktimet e tyre kuptimplota për rolet që kryejnë[1]. Zërat ndahen në:
- Zëri I Marrës, ja merr
- Zëri II Pritës, ja pret
- Zëri III Iso, bëjnë e… me shokë
Ekzistojnë dhe terma të tjerë rreth zërave të iso-polifonisë toske, psh:
- Marrës ose ai që ia thotë, ja nis, e merr…
- Pritës ose ai që ja pret, ja kthen, ja thyen, ja mban, që e merr pas…
- Iso në rolin e atyre që ia mbushin, që mbajnë zënë..
Të tre këto zëra, formojnë trion e përveçme të personazheve të shumëzërëshit vokal.
[1] V. S. Tole, “Folklori Muzikor“ (Polifonia shqiptare), Tiranë, 1999, fq. 94./Gazeta Telegraf