Ditën e premte, skuadra e Tomorit finalizoi marrëveshjen me portierin e njohur dhe me eksperiencë, Arbër Jata. Ai vjen nga Iliria dhe më parë ka qenë pjesë e skuadrës së Vorës, ku ka kontribuar në ngjitjen në Superligë. Lajmin e konfirmoi vetë trajneri i Tomorit, Klodian Arbëri, i cili shprehu kënaqësinë dhe vlerësimin e tij të lartë për portierin:
“Jata është një portier që e vlerësoj me nota maksimale, pasi garanton siguri në portë falë aftësive dhe eksperiencës së fituar në skuadrat ku ka luajtur më parë. Me Jatën në portë, Tomori do të jetë shumë i sigurt në prapavijë gjatë pjesës së mbetur të kampionatit. Jam i bindur se do të performojë në nivel të lartë dhe do të ketë dyert e hapura edhe për sezonin e ardhshëm”.
Portieri do të bëjë debutimin e tij me Tomorin në ndeshjen miqësore ndaj Sopotit të shtunën. Arbëri deklaroi gjithashtu se me afrimin e Jatës, çështja e portës tek Tomori konsiderohet e mbyllur, ndërsa njëri prej dy portierëve afrikanë të vetofruar do të shërbejë si alternativa e Jatës, i cili konsiderohet titullar i padiskutueshëm. Ky transferim është pjesë e përgatitjeve të Tomorit për të synuar ngjitjen automatike në Kategorinë e Parë në sezonin e ardhshëm.