Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të reagojë përmes rrjeteve sociale lidhur me draftin e ri të Kodit të ri Penal, i cili prej javësh ka shkaktuar një seri reagimesh dhe kundërshtish, përfshi edhe nga Bashkimi Europian, përmes Delegacionit të atashuar në Tiranë.
Por duket se Rama nuk është i shqetësuar aspak lidhur me atë se çfarë propozohet në draft, për të cilin thotë se është hartuar nga ekspertë të nderuar të fushës që e kanë publikuar për të mbledhur opinione.
“Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell, ndërkohë që drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij.
Hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj”, shkruan Rama.
Reagimi i Kryeministrit vjen në një kohë kur nga BE është thënë se drafti nuk është sipas standardeve europiane, ndërsa OSBE ka kërkuar një diskutim gjithëpërfshirës si dhe ka shprehur gadishmërinë për të dhënë ekspertizën e saj.
Ky është reagimi i dytë i Kryeministrit brenda 3 ditëve të fundit lidhur me draftin e propozuar. Tre ditë më parë, Rama ka mohuar që në hartimin e draftit të ketë marrë pjesë Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë, ndërsa shprehej se kjo iu besua një grupi ekspertësh të nderuar, nën udhëhehjen e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Profesor Arben Rakipit.
“Qeveria është thjeshtë njëra nga shumë palët në këtë proces dhe e kemi marrë e po e studiojmë draftin, për të ballafaquar më pas qëndrimet tona me ato të grupit të ekspertëve, gjë që ua sugjerojmë edhe shoqatave të alarmuara për lirinë e shtypit, të cilat në këtë fazë, në vend se të alarmohen duhet të ndjehen shumë të lehtësuara e të respektuara, sepse kanë të gjithë kohën e nevojshme për ta studiuar e pastaj ballafaquar draftin e Kodit të Ri Penal me grupin e punës, njësoj siç do të bëjë qeveria e siç duhet të bëjnë të tëra palët e interesuara – sidomos ato brenda sistemit, të cilat në vend se të japin deklarata sa të nxituara aq edhe qesharake për shtyp, bëjnë mirë të ulen me grupin e ekspertëve dhe të ballafaqojnë opinionet e tyre”, deklaronte Rama.
Kritika për draftin kanë shprehur edhe Kryeprokurori Olsian Çela dhe kreu i SPAK, Altin Dumani.