Detaje të reja kanë dalë në dritë nga skandali politik që ka tronditur Malin e Zi, pas shpërndarjes në rrjetet sociale të një videoje intime që përfshin dy ish-zyrtarë të lartë shtetërorë.
Bëhet fjalë për Mirjana Pajkoviç, ish-drejtoreshë për Promovimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, dhe Dejan Vukšiç, ish-drejtor i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë dhe njëherazi këshilltar i Presidentit të Malit të Zi. Pas publikimit të materialeve, të dy kanë dhënë dorëheqjen nga funksionet e tyre, duke shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe brenda institucioneve shtetërore.
Në një prononcim për mediat, Pajkoviç ka folur për ndikimin e skandalit te familja e saj, veçanërisht te fëmijët. Ajo tha se djali i madh nuk kishte kuptuar përmbajtjen e regjistrimeve, por të dy fëmijët kishin vënë re gjendjen e saj emocionale.
“Ata panë që nuk flija, që qaja dhe që nuk isha mirë. Djali i vogël ka mekanizmat e tij mbrojtës, ndërsa i madhi është shumë i ndjeshëm dhe nuk ndahet nga unë kur sheh se nuk jam mirë. Kjo më jep forcë të vazhdoj për shkak të tij”, është shprehur Pajkoviç.
Dorëheqjet e dy ish-zyrtarëve erdhën brenda një periudhe të shkurtër, pas shpërndarjes së materialeve që, sipas raportimeve, i shfaqin ata në një marrëdhënie intime, ndërkohë që Vukšiç është i martuar.
Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur se kush qëndron pas publikimit të videos. Në Mal të Zi, shpërndarja e materialeve intime pa pëlqim përbën vepër penale të rëndë dhe personat përgjegjës mund të përballen me dënime deri në pesë vite burg.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vijojnë, ndërsa skandali vazhdon të ketë jehonë të fortë në skenën politike të vendit./Sandzakdanas.rs