Rajon

Komuna e Prishtinës gjobit organizatorët e shtrimit të iftarit me mbi 800 persona, zbulohet shkaku

Mbrëmë në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë është shtruar iftar për të gjithë besimtarët myslimanë, nga Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” dhe organizata “Swiss Barakah Charity”.

“Në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, u shtrua iftar madhështor, tashmë tradicional për mbi 800 persona nga të gjitha kategoritë e shoqërisë. Ky iftar i përbashkët, organizim i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti” dhe organizatës “Swiss Barakah Charity” mblodhi në një vend qytetarë të shumtë, të cilët pavarësisht motit me shi e shijuan bashkërisht iftarin”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.

Pavarësisht qëllimit të mirë, personat që shtruan iftar kanë lënë sheshin në një gjendje të mjerueshme, të mbuluar nga mbeturinat.

Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se personat që kanë lënë në këtë gjendje sheshin do të gjobiten.

“Personat që e kanë lënë sheshin në këtë gjendje do të gjobiten nga organet përgjegjëse, ndërsa Drejtoria e Shërbimeve Publike ka angazhuar punonjës për të pastruar gjithë sheshin. Ju lutemi qytetarë të keni kujdes, ruajeni ambientin, kujdesuni për hapësirat publike, mos i dëmtoni”, thuhet në njoftimin e komunës.