Sport

“Kristjan Asllani një shqiponjë e vërtetë”, presidenti i Beshiktashi mendon transferimin përfundimtar të mesfushorit shqiptar

Beshiktashi zhvilloi një konferencë për shtyp me presidentin Serdal Adali, ku u prezantuan afrimet e merkatos së dimrit. Mes tyre ishte edhe mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, i cili u transferua në formë huazimi nga Interi, pas eksperiencës së tij me Torinon.

Huazim gjashtëmujor me opsion blerjeje

Sipas drejtuesve të klubit turk, marrëveshja me Interin është në formë huazimi për gjashtë muaj. Në rast se Beshiktashi vendos të blejë përfundimisht kartonin e lojtarit, zikaltrit mund të përfitojnë një shumë që shkon deri në 13 milionë euro.

Presidenti Serdal Adali u shpreh optimist për kontributin e mesfushorit shqiptar, duke përdorur fjalë vlerësuese për të.

Ne nënshkruam me Kristjan Asllanin në formë huazimi gjashtëmujor, por besoj se ai do të luajë mirë këtu dhe do të qëndrojë me ne. Që nga dita që erdhi, ai ka treguar përshtatje të shkëlqyer me frymën dhe emocionet e Beshiktashit. Ne e quajmë Asllani, por sipas mendimit tim, ai është një shqiponjë e vërtetë”, deklaroi Adali.

Roli i Muçit dhe Rashicës në transferim

Nga ana e tij, Asllani tregoi se para transferimit kishte komunikuar me dy futbollistë të tjerë shqiptarë që aktivizohen në Turqi, Ernest Muçin dhe Milot Rashicën. Sipas mesfushorit, bisedat me ta ndikuan pozitivisht në vendimin për t’iu bashkuar Beshiktashit.

Nuk fola me Hakan Çalhanoglu para transferimit. Fola me Ernest Muçin dhe Milot Rashicën, dhe ata thanë gjëra shumë të mira për Beshiktashin”, u shpreh Asllani.

Mesfushori shqiptar kërkoi gjithashtu ndjesë për kartonin e kuq të marrë në debutimin e tij me fanellën e Beshiktashit, duke e cilësuar episodin si një moment për të cilin ndjen keqardhje.

Transferimi i Asllanit konsiderohet si një nga lëvizjet më të rëndësishme të merkatos së dimrit për klubin turk, ndërsa mbetet për t’u parë nëse huazimi do të kthehet në një marrëveshje përfundimtare në fund të sezonit.