Apolonia po kalon një nga momentet më të vështira të sezonit, duke u shndërruar në skuadrën me rezultatet më të dobëta në kampionat, veçanërisht gjatë vitit 2026. Në tetë ndeshjet e zhvilluara këtë vit, fierakët kanë arritur të grumbullojnë vetëm dy pikë, një tregues i qartë i krizës që po përjeton skuadra.
Humbja e fundit në transfertën e Laçit e ka thelluar edhe më shumë situatën, duke e çuar në dhjetë numrin e ndeshjeve radhazi pa fitore për Apoloninë. Një seri negative që ka vënë në alarm ambientin fierak dhe ka shtuar presionin mbi skuadrën dhe stafin teknik. Pas disfatës në Laç, trajneri i Apolonisë, Marko Jovanoviç, ka analizuar momentin e vështirë që po kalon skuadra e tij, duke theksuar se një nga arsyet kryesore të ngërçit lidhet me mungesën e eksperiencës në përbërje. “Dua të përgëzoj Laçin për momentin pozitiv që po kalon.
Sa i përket Apolonisë, për mendimin tim si ekip nuk kemi probleme në dhomën e zhveshjes apo në aspektin psikologjik. Problemi kryesor është mungesa e eksperiencës, pasi kemi një skuadër me shumë lojtarë të rinj. Përveç kësaj kemi edhe disa çështje të tjera që nuk dua t’i komentoj, pasi janë gjëra që duhet t’i zgjidhë federata”, u shpreh fillimisht tekniku i fierakëve.
Largimet dhe elementët e rinj
Jovanoviç theksoi gjithashtu se skuadra ka pësuar shumë ndryshime në përbërje gjatë sezonit, gjë që ka ndikuar ndjeshëm në stabilitetin dhe rezultatet e ekipit. “Ne kemi pasur shumë largime gjatë sezonit, si Maksuti, Kofi apo Trifoni. Në total kam humbur rreth 12 futbollistë që nga momenti kur kam nisur punën e deri në merkaton e dimrit. Politika e klubit është që të punojë dhe të aktivizojë sa më shumë futbollistë të rinj. Kemi lojtarë me potencial dhe perspektivë, por ata kanë nevojë për kohë që të rriten dhe të marrin eksperiencën e duhur. Besoj se me kalimin e kohës dhe me ingranimin e tyre edhe rezultatet do të vijnë, duke nisur që nga java e ardhshme, në mënyrë që në fund të sezonit të jemi brenda pritshmërive”, theksoi trajneri i Apolonisë.
Nga ana tjetër, në ambientin fierak shpesh janë ngritur edhe pretendime për gjykimet. Në disa raste drejtuesit e klubit kanë deklaruar se vendimet e arbitrave u kanë kushtuar pikë të rëndësishme në renditje, duke pretenduar se Apolonisë i mungojnë rreth 15 pikë për shkak të vendimeve të “xhaketave të zeza”. Megjithatë, kalendari nuk premton aspak lehtësi për fierakët. Në fundjavë Apolonia do të ketë përballë një nga kundërshtarët më të fortë të kampionatit, pasi në stadiumin e saj pret kryesuesit e Kategorisë së Parë, Skënderbeun, skuadër që ka dominuar renditjen nga java e parë deri në të 25-ën. Një sfidë shumë e vështirë për Apoloninë, e cila do të kërkojë të gjejë reagimin dhe të ndërpresë serinë negative.