Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi, ka kërkuar që SPAK të hetojë kryetaren e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi.
Reagimi i Bardhit vjen pas denoncimit të një emisioni investigativ se kryebashkiakja e Roskovecit ka bërë një tender për karikimin e makinave elektrike me vlerë miliona euro.
Sipas tij, ky tender nuk është në dobi të asnjë qytetari sepse mungojnë në qytet makinat elektrike.
Gazment Bardhi, drejtuesi politik i PD-së në qarkun Fier Gazment Bardhi, shprehet se “Majlinda Bufi s’mban mend pse tenderat e saj kushtojnë shumëfish dhe s’i shërbejnë qytetit”.
“Një zyrtar që nuk ka memorie për firmat e hedhura, ka shumë për të fshehur. Është rasti që SPAK-u t’i kthejë memorien kryetares së Bashkisë së Roskovecit Majlinda Bufi për disa tendera “elektrizues”. Nëse ajo s’mban mend pse tenderat e saj kushtojnë shumëfish dhe s’i shërbejnë qytetit, është mirë që SPAK të mos heshtë! Korrupsioni lulëzon atje ku drejtësia mungon”, shkruan Bardhi.