Pas 25 javësh kampionat, Lushnja ndodhet në një moment kritik të sezonit. Skuadra e drejtuar nga trajneri Artan Bano është në limitet e zonës së rrezikut dhe rrezikon seriozisht rënien në Kategorinë e Dytë, një skenar që do të ishte një goditje e rëndë për historinë dhe traditën e klubit verdhejeshil. Megjithatë, pavarësisht situatës së vështirë në renditje, Lushnja e ka ende fatin në duart e saj.
Në dispozicion janë edhe tetë ndeshje deri në fund të sezonit, që përkthehen në 24 pikë të mundshme. Për më tepër, lushnjarët kanë përfunduar tashmë përballjet me tre skuadrat kryesuese të kampionatit dhe kalendari në vijim paraqitet disi më i favorshëm, duke i dhënë ekipit mundësinë reale për të reaguar dhe për të shpëtuar sezonin. Kthesa mund të nisë që këtë fundjavë.
Lushnja pret në stadiumin “Roza Haxhiu” skuadrën e Luftëtarit, një rival direkt për mbijetesën. Të dy ekipet ndodhen me nga 20 pikë në renditje dhe për këtë arsye kjo përballje merr vlerën e një “finaleje” të vogël. Një fitore për verdhejeshilët do të kishte peshë të dyfishtë: jo vetëm do të sillte tre pikë jetike, por edhe do të krijonte një diferencë të vogël me një rival të drejtpërdrejtë. Nga kjo javë për Lushnjën nis momenti i së vërtetës. Nuk ka më vend për analiza të gjata apo për të kërkuar fajtorë për situatën e krijuar. Tani kërkohet mobilizim maksimal nga të gjithë: lojtarët, stafi teknik, drejtuesit dhe mbi të gjitha tifozët.
Thirrja e administratorit
Vetëm të bashkuar mund të mbrohet nderi i fanellës dhe të shpëtohet sezoni. Për këtë ndeshje të rëndësishme ka reaguar edhe administratori i klubit, Mario Sula, i cili për “Panorama Sport” u ka bërë thirrje tifozëve lushnjarë të mbushin shkallët e stadiumit dhe të mbështesin ekipin në këtë moment delikat. “Si administrator i Lushnjës u bëj thirrje të gjithë tifozëve që të jenë të pranishëm në stadium këtë fundjavë dhe të mbështesin ekipin, edhe pse situata nuk është shumë e mirë.
Ekipi ka nevojë për përkrahjen e gjithë tifozërisë lushnjare në këtë moment të vështirë. Për të hequr çdo pengesë, klubi ka vendosur që për ndeshjen me Luftëtarin hyrja në stadium të jetë e lirë, pa biletë, në mënyrë që skuadra të ketë mbështetje maksimale. Shpresojmë që nga kjo përballje direkte për mbijetesën të nisë edhe kthesa dhe shpëtimi i sezonit të Lushnjës”, u shpreh administratori Sula për “Panorama Sport”. Të shtunën në “Roza Haxhiu” pritet një ndeshje me emocione dhe tension të madh, ku për Lushnjën fitorja është më shumë se një objektiv, është një domosdoshmëri për të mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë.