Kulturë

Kujtesë për zë ëmblin dhe të hirshmin Sandër Prosi

39 vite më parë, u nda nga jeta Sandër Prosi, zëëmbli i skenës, stomatologu që u bë aktor dhe u magjeps me personalitetin dhe karakteret që ai përjetësoi, me mishërimin që ai u dha roleve dhe jetësoren që ai u mëkoi personazheve, për t’i bërë ata të përgjithmonshëm, në kujtesën dhe admirimin që ushqyem për filmin.

Më 25 mars 1985, ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur” të autorëve Luan Rama e Muharrem Fejzo, në qytetin e Durrësit, gjeti vdekjen e papritur, Sandër Prosi. Një vdekje enigmë për të cilën është folur me rezervë të madhe, sikur të prekej një e vërtetë që duhej shtyrë në kohë, e për të cilën duhej folur kur të vinte momenti i duhur.

Por siç tregojnë kolegët dhe familjarët e tij, Sandër Prosi ishte i mbyllur në vetvete. Lidhur me këtë djali i tij Aristidhi në një komunikim për mediat mësohet të jetë shprehur se: “Babai bënte një jetë të rregullt familjare. Ai nuk pinte alkool, ndonëse frekuentonte zakonisht barin e “Vollgës” dhe atë të katit të tretë në Pallatin e Kulturës, që ishin dhe dy nga lokalet ku ai shkonte zakonisht me kolegët e tij artist, (nga miqtë më të afërt kishte Prokop Mimën e Naim Frashërin) dhe pinte rreth shtatë-tetë kafe në ditë, të cilat i shoqëronte me tre paketa cigaresh”.

Gjithsesi vdekja e tij ishte një humbje për familjen dhe një goditje e beftë për artin tonë skenik. Kishte ikur për të mos qenë më pjesë e kësaj vazhdimësie suksesi, për të dhënë më nga përkushtimi me mish e me shpirt, në përmbushjen e egos profesionale dhe justifikimin e besimit që kishin për t’i besuar atij role të mëdha.

Kinematografia shqiptare pa shumësinë e personazheve të Prosit, pa lojën e tij do të kishte mangët një nga gurët e themeltë të mozaikut të saj. Çdo mungim është një sprovë e bashkëjetimit në amshim, përmes veprës dhe kujtimeve. Çdo ikje është një shndërrim, edhe ajo e Sandër Prosit kësisoj ndodhi, ai tashmë është një mbamëndje e përgjithmonshme e teatrit dhe filmit.

Tek ai fjala shqipe ishte më e bukur, më e ëmbël. Personazhet emblematikë të historisë së kombit shqiptar, rivijnë përmes lojës virtuoze dhe trajtimit shpirtëror të Sandër Prosit, me atë shkëlqimin shpërthimtar. Janë pjesë e ëndjes dhe nostalgjisë, për të ngritur peshë vetëdijen tonë, për të rrokur më fuqishëm të drejtën tonë të krenarisë nacionale!

Dhaskal Todri dhe Ismail Qemali qi ai “ringjalli” s’mund të përsëriten më. Por ne jemi të pasur pasi Sandër Prosi na i ka skalitur në dublat e fimave këto figura, dhe ne kemi pse të mburremi, pse të jemi krenar. Gjithëpoaq të gjitha rolet e Prosit janë ajo gravura e qëndisur me fije shpirti, është ajo panorama magjepsëse që përplotëson dëshirimin për t’u përfshirë dhe përjetuar, pasazh pas pasazhi, episod pas episodi, fuqishëm dhe emocionalisht. Po, ajo që ai la në celuloid dhe memuar ishin dhe do të mbeten një qiell llamburitës me yje, kur ne harroheme në admirim dhe kujtime.

***

Sandër Prosi u lind në 6 janar të vitit 1920 në Shkodër, ku nëna e tij, Aspasia, kishte shkuar për të qëndruar për pak kohë në familjen e saj. Sandri ishte fëmija i fundit i Jovan Prosit, nga tre djem dhe tre vajza që kishte ajo familje e vjetër tiranase me origjinë vllehe dhe kur lindi Sandri, familja e tij banonte në një shtëpi të vjetër në rrugën e “Barrikadave”.

Pas mbarimit të gjimnazit në vitin 1938, Sandri mundi të përfitojë një bursë nga qeveria e Zogut, për të studiuar për stomatologji në një nga universitetet e Vjenës. Në kryeqytetin austriak, ai studio për dy vite, dhe më pas atij i’u ndërpre bursa pas pushtimit italian të Shqipërisë.

Si pasojë e kësaj ai u detyrua që të kthehej në Tiranë, ku herë pas here ndihmonte të vëllanë, Kleanthin në klinikën dentare. Më pas ai shkoi në Bari të Italisë, ku disa nga miqtë e tij anti-fashistë që ishin të internuar aty, i thanë që të mos rikthehej në Tiranë, pasi aty kishte shpërthyer lufta.

Në vitet 1942-43, maturantët e gjimnazit shtetëror të Tiranës, ku midis të cilëve ishte dhe aktori Naim Frashëri, vunë në skenë dramën “Vilhelm Tel”. Për këtë ata kërkuan ndihmën e shokëve të tyre më të rritur, Sandër Prosit dhe Prokop Mimës, të cilët kishin jo më shumë se 3-4 vite që ishin larguar nga shkolla.

Është viti 1947 kohë kur Sandër Prosi do të hidhet në sfidën e aktrimit duke u bërë pjesë e konkursit në Teatrit Popullor, për ta fituar atë. Prej këndej nisi rrugëtimi i tij i gjatë në promovimin e vlerave të tij interpretuese, në aftësinë për të depërtuar thellë në personalitetin dhe konstruktin sentimental të personazheve, të cilët i jetësoi me kaq vërtetësi sa të ngjan sikur ishte vetë që luante historitë e tij. Nuk do të kishte të reshtur ngjitja në skenat e teatrit e futja në sheshgjirimet e filmave për të shënuar kështu 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si A.Z. Çajupi, K. Jakova, B. Lëvonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj.

“Ishte i madh edhe në rolet e vogla, mbamendet të jetë shprehur në një përvjetor të ndarjes me të, regjisori Viktor Gjika, pasi për të nuk kishte role të mëdha e të vogla, ai punonte që t’i bënte të mëdha edhe rolet e vogla dhe ja arrinte”. Kritiku Josif Papagjoni mësohet të ketë thënë për Prosin se: “Çdo fjalë e thënë për të nuk është shumë, dhe të gjitha fjalët nuk mjaftojnë për të”. Por ajo çka është e sigurtë, çdo fjalë e thënë është një penel më shumë për të ravijëzuar portretin e tij, Sandër Prosit, kontit të hijshëm të skenës dhe ekranit shqiptar.

Për Pirro Manin, Sandër Prosi ishte ndryshe, askush nuk mund të harrojë që qeshurën e tij të bukur, aq sa edhe fisnike.

Ai e dorëzoi frymën e tij të fundit atëherë kur ende mund të mbushte me emocion përmes lojës virtuoze dhe shpirtit të pasur, të cilin i’a mishëroi të gjithë roleve që e kthyen këtë personalitet në një gurthemel të qenësishëm të teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

Për kontributin e tij të madh në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me çmime të Republikës dhe urdhra e medalje të tjera.

Në 25-vjetorin e vdekjes së tij, aktori i madh Sandër Prosi, u dekorua nga Presidenti i Republikës, me Urdhrin “Nderi i Kombit”, ndërsa në 24 shkurt të vitit 2017, ai u nderua me urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, pas vdekjes është shëmbëllim i të bukurës, i të fismes, atërores në kujtesën historike të aktrimit dhe memuarin e atyre që jetuan emocionalisht me personazhet që skaliti me pasion e përkushtim. Në përjetësi udhëtoftë ky shpirt i pasur, ky njeri madh, kjo ndërmendje e përgjithmonshme e së bukurës. /Nga Albert Vataj