Sport

Kupa dhe derbi, momenti i “Demave” për 80-vjetorin

Festa e 80-vjetorit e organizuar më datë katër shkurt, triumfi dy ditë më pas me përmbysje në Ballsh ndaj Bylisit 1-2, fitorja me shumë peshë në limitet e ndeshjes 0-1 mes tensionit në shkallët e stadiumit në “Elbasan Arena” ndaj vendasve të Elbasanit për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë dhe në fund, “qershia mbi tortë”, triumfi në derbi ndaj Tiranës me rezultatin 2-0. Thënë shkurt, është padyshim momenti i Partizanit.

MOMENTI POZITIV

Të kuqtë janë duke shijuar një ecuri fantastike, teksa gjithçka duket sikur funksionon në perfeksion në manovrën e trajnerit Oltijon Kërnaja, por mbi të gjitha gjithçka funksionon në perfeksion edhe jashtë fushe, ku lojtarë, staf teknik, drejtues dhe tifozeri janë të gjithë në harmoni dhe po tentojnë të shtyjnë me “gazin” në maksimum në momentin më vendimtar të sezonit. Edhe pse në sipërfaqje nuk janë shumë të dukshme, hallkat e sipërpërmendura pak më lart janë shumë të rëndësishme në mënyrën se si duhet të funksionojë një klub dhe të koleksionojë rezultatet pozitive.

GRUPI I BASHKUAR

Suksesi i kohëve të fundit nuk vjen rastësisht, trajneri Kërnaja duket se ka tashmë një formacion stabël me një apo dy lojtarë që ndryshojnë nga ndeshja në ndeshje (në varësi të mungesave, penalizimeve prej kartonëve apo dëmtimeve), por asnjëherë duke ndryshuar “fytyrën” e skuadrës në fushë, lojtarët nga ana tjetër po marrin përsipër përgjegjësitë dhe mbi të gjitha po ia dalin të jenë një grup i bashkuar, pa pasur përçarje dhe duke luftuar për shokun që kanë në krah. Mjafton të dëgjosh me vëmendje deklaratat e fundit, ku secili lojtar, për të kaluar më pas te trajneri dhe drejtori Ibraimi, thekson se grupi vjen i pari.

OBJEKTIVI

Kështu, këto ndeshje të fundit, kombinuar edhe me hapat fals të Dinamos në anën tjetër, bëjnë që Partizani ta shohë veten vetëm tre pikë larg zonës së “Final 4”, që është edhe objektivi i klubit prej startit të sezonit. Duket si një mrekulli pasi vetëm disa javë më parë pas humbjes me Vorën në fillimin e vitit dhe më pas disfata me Vllazninë, diferenca me vendin e katërt shkoi në shtatë pikë. Gjithsesi, të kuqtë nuk hoqën dorë, vazhduan të besonin, të shtyrë edhe nga fakti se në fushë po prodhonin futboll e duke shpresuar se kjo do të shpërblehej. Pa harruar këtu edhe disa rregullime në merkaton e janarit si Sidibe apo Qaka që janë bërë menjëherë pjesë e titullarëve, bënë që skuadra të rikthehet në rrugë të duhur.

E ARDHMJA

Sfidat e radhës dhe të fundit për këtë të fazë të tretë do të përcaktojnë ndoshta gjithçka. E radhës është në transfertë me Flamurtarin në Vlorë, me kuqezinjtë të “etur” për pikë, ndërsa në vijim është sfida me Egnatian në shtëpi, sfida e kthimit me Elbasanin në Kupë dhe më pas e fundit për fazën e tretë me Dinamon, që mund të jetë edhe një lloj finaleje për atë vendin e katërt aq shumë të dëshiruar. Sfida e radhës tashmë është menaxhimi i këtij momenti dhe ndoshta kënaqësie që të falin suksesi, për të gjetur balancën mes euforisë dhe presionit e për të marrë sërish rezultate pozitive në ndeshjet përcaktuese për sezonin.

Të gjithë në klub shprehen se ekipi duhet të qëndrojë me “këmbë në tokë” pasi ende asgjë nuk është arritur dhe në fakt, rruga ishte dhe mbetet me shumë pengesa, por tashmë “makina” e kuqe duket se ka një “marsh” më shumë dhe duket e “kolauduar” për të kaluar çdo “gropë” që i shfaqet përpara. Të paktën në letër, teksa fjala gdhe veprat gjithmonë i takojnë fushës së blertë.