Sport

Kupa e Shqipërisë/ Tirana ka mision përmbysjen kundër Dinamos, Orges Shehi: Do ketë rotacion, kalendari është i ngjeshur

Nesër do zhvillohen katër ndeshjet e kthimit në Kupën e Shqipërisë, të vlefshme për fazën çerekfinale. Në orën 19:30 në stadiumin “Air Albania” do luhet dueli mes Dinamos dhe Tiranës, teksa sfida e parë mes tyre foli 2-0 për Dinamon.

Në prag të ndeshjes për mediet foli Orges Shehi. Trajneri i Tiranës do e ketë sfidën e dytë në stolin e bardhebluve pas rikthimit, ndërsa debutoi javën e shkuar në humbjen 3-1 me Vllazninë në Shkodër. Shehi u ankua për kalendarin e ngjeshur, duke shtuar se në këtë sfidë do ketë emra që nuk kanë marrë shumë minuta në fushë.

Bardheblutë vuajnë këtë sezon në Superligë, duke qenë në vendin e parafundit. Edhe në Kupë skuadra e Tiranës ka detyrë të vështirë për të rikuperuar dy gola disavantazh.

Gjendja e ekipit? Gjendja përgjithësisht është e mirë dhe pse shumë pak ditë na ndajnë nga ndeshja e fundit që kemi zhvilluar. Jemi munduar të rikuperojmë energjitë dhe pastaj të përgatitemi për ndeshjen e Kupës.

Sa e vlerësoni Dinamon? Meriton respekt, kushdo skuadër, aq më tepër Dinamo që ka pozicion të mirë në renditje dhe kontingjent të mirë. Është sfidë e vështirë, edhe për shkak të rezultatit të parë. Kjo është ndeshje e dytë për mua në stol pas rikthimit, por do përpiqemi të bëjmë maksimumin, për të qenë në lojë gjatë gjithë kohës.

Çfarë nuk shkoi në Shkodër? Pas çdo ndeshje, e analizojmë. Jo për të gjetur fajtorët, por ku kemi gabuar. Duke qenë se ndeshja tjetër vjen shumë shpejt, kjo analizë bëhet më e shkurtër. Do mundohemi të ndryshojmë diçka nesër dhe do ketë disa emra të rinj në formacion.

A mund të përmbyset rezultati? Për shkak të rezultatit të parë, shkalla e vështirësisë është më e madhe. Do mundohemi të jemi gjithmonë në lojë, të jemi konkret dhe të kujdesshëm, duke parë rezultatin dhe vështirësinë. Do bëjmë maksimumin tonë.

I trembeni mbijetesës? Fokusi ka qenë te Kupa. Edhe pse në kampionat jemi në pozicion jo të mirë dhe na pret një ndeshje tjetër pas katër ditësh, pas ndeshjes nesër. E dimë që të gjithë kundërshtarët kanë objektiva dhe ndeshjet janë të forta, por mendojmë t’i marrim ndeshjet një nga një”, tha trajneri i Tiranës.

Kupa e Shqipërisë, faza çerekfinale – ndeshjet e kthimit:

E mërkurë, 04 mars 2026

16:30

Partizani – AF Elbasani (1-0)

Vllaznia – Bylis (1-0)

19:30

Dinamo – Tirana (2-0) në ‘Air Albania’

Egnatia – Teuta (2-1)

*Shënim: Në kllapa () rezultatet e ndeshjeve të para