Opinion

Kur një nënë vret veten dhe 3 fëmijët, shoqëria rrezikon humnerën

Nga Alba Malltezi

Vetëflijimi i një nëne me 3 fëmijë në lumin e Bunës, në pak distancë nga Kalaja e Rozafës, aty ku më të voglën e shtëpisë e sakrifikuan për të ndërtuar një kështjellë shekuj më parë, na bën të mendojmë se legjenda nuk është aq legjendë dhe se vija që na ndan nga errësira e shekujve është fare e hollë, e brishtë.Ndërsa opinioni publik është egërsuar për mbajtje karrigesh pushteti, frikë humbje, apo tmerr mosfitimi të të njëjtave karrige, pakkush kujdeset për indet që na mbajnë lidhur mes njëri-tjetrit si njerëz, si individë. Pakkush harxhon frymë, energji, të shpjegojë se asnjë grua nuk është pronë e bashkëshortit, asnjë fëmijë nuk është pronë e prindërve dhe se hakmarrja, ofendimet, presionet, dhuna, janë bij të errësirës dhe sjellin vetëm fatkeqësi.

Në vendin tonë të vogël të gjithë dinë gjithçka e duan të thonë të tyren për Edi Ramën, Sali Berishën, Ilir Metën, pastaj për Biden, Soros, Ukrainën, Palestinën, për teori të konspiracionit megauniversal e vargje të Majakovskit, Dantes e filozofi të Frojdit, e lëre pastaj për Big Brother apo të tjera spektakle të hareshme, por nuk marrin mundimin të shërojnë plagët e hapura të një nëne të re, e cila me siguri, prej vitesh është rrëzuar në humnerën e depresionit, të dhunës, të mungesës së vetëvlerësimit, të paaftësisë së kuptimit që Ajo dhe vetëm ajo është në qendër të botës magjike dhe se sa qesharake është të masësh vetveten me dashurinë apo tradhëtinë e një bashkëshorti.

Me nënën e re të Shkodrës dhe me 3 fëmijët e saj të mitur, është fundosur në thellësinë e Bunës një pjesë e ne të gjithëve. Kemi mbetur pak, shumë pak për të vazhduar të jemi kaq të egër me kë nuk biem dakord, me kë nuk na pëlqen, me kë nuk bëhemi më. Në vend që të përqëndrohemi tek e bukura dhe tek e mira e të përmirësohemi dita ditës, mbërthehemi tek difektet, veset, shëmtia e të tjerëve, gjë që nuk duhet të na tërheqë dhe as të na interesojë.

Një nënë që sjell në jetë 3 fëmijë të bukur si drita, e ka kryer misionin e shenjtë dhe tepër të vështirë të saj; por vetësakrifikimi i 3 fëmijëve dhe i vetes, lë pas një plagë që duhet të bëjë të reflektojnë dhe të veprojnë me urgjencë më të aftit dhe më të mirët mes nesh.