Kulturë

Kur Parashqevi Simaku quhej Vivian, intervista e parë e këngëtares pas largimit nga Shqipëria

Me titullin, “Që 5 vjeç kam qenë star”, gazeta “Koha Jonë” ka publikuar më 11 Dhjetor 1996, një intervistë me këngëtaren Parashqevi Simaku, të cilën, siç edhe citohet në hyrjen e intervistës, në aeroportin e Rinasit, yllin e festivaleve, këngëtaren e madhe nuk e priste askush veç disa familjarë të saj.

Ajo flet në këtë rrëfim për “Koha Jonë”, për herë të parë pas 5 vitesh nga largimi i saj nga Shqipëria për në SHBA. Ripublikimi i kësaj interviste, merr aktualizim, për rikthimin, jo dhe aq të lavdishëm të vajzës nga Kavaja, që aspironte të bënte një turne ndërkombëtar, dhe të shndërrohej në një yll Hollivudi.

Sot pas 26 vitesh, ajo që Vivian Simaku, ka thënë në këtë intervistë, është një ëndërr amerikane e shuar dhe një e vërtetë aspak frymëzuese, se si jeta e saj ka marrë një kthesë kaq të papritur.

Fiks 26 vite më parë, ajo vinte në Shqipëri për të kurorëzuar martesën e saj, jo vetëm në aspektin shkresor, por edhe ceremonial dhe familja. Natyrisht që 26 vite janë shumë, por jeta dhe karriera e Vivian Simakut rendën më shpejt, dhe një pjesë e këtyre viteve nuk është se ishin të mira për të. Madje, siç edhe u bë publike, ishin thjeshtë një vrasje e ëndrrës amerikane.

Por, për më shumë, për të kuptuar se cila ishte Parashqevi Simaku e ëndrrave të mëdha, Vivian e ambicies artistike, ju ftojmë ta përcillni intervistën e saj në “Koha Jonë” të ripublikuar për kureshtinë tuaj, sot 26 vite më parë.

Albert Vataj

Që 5 vjeç kam qenë star

Ka zbritur në Rinas weekendin e parë të dhjetorit së bashku me bashkëshortin, e thjeshtë dhe e lodhur nga një udhëtim i gjatë. Por ylli i muzikës shqiptare të viteve ’80, çuditërisht është pritur vetëm nga të afërmit në hollin e të vetmit aeroport shqiptar, pa ndjerë peshën e medias së painformuar dhe pa u shoqëruar nga blicet e fotoreporterëve.

Vivian Simaku, emri i artit të këngëtares famshme Parashqevi, ka riardhur në vendin e saj, pas pesë vjetëve, edhe për të bërë ceremonialin martesor, siç shprehet. Është akomoduar në Durrës, pranë familjes, duke u treguar shumë e rezervuar me shtypin. Pas 24 orësh vendos të japë intervistën e parë për një gazetë shqiptare. Heshtja në këtë rast ndoshta ka të bëjë me idenë e bezdisjes, e qenies edhe një herë tjetër në qendër të vëmendjes, pikërisht në momentin kur ylli shqiptar ka vendosur të pushojë.

Gjithsesi ndjehet se Simaku ka nostalgji jo vetëm për vendin e saj. Mbi të gjitha ajo shprehet për publikun, për fansat që vjetët nuk kanë bërë që të harrojnë starin e tyre. “Unë kam qenë star që në moshën 5 vjeç”- thotë Simaku, duke pohuar në këtë mënyrë egzaktësisht të gjithë qenien e saj në qendër të vëmendjes përsa kohë që ishte në Shqipëri.

Sidoqoftë tashmë këngëtarja shqiptare jeton në një realitet tjetër, ku në qendër nuk janë festivalet e ndryshme të realizuar në qytetet shqiptare. Ajo tashmë është qytetare e Hollivudit, e skenave njujorkeze dhe të tjerave të Kontinentit të Ri. Por gjithsesi nuk harron se e gjithë eksperienca e re ka lidhje me një emër të vetëm: Shqipërinë.

Vivian Simaku do të këndojë në festivalin e 35 të këngës në RTV. Lajmin e konfirmon vetë artistja e famshme, megjithë heshtjen e udhëqësit artistik të festivalit Ciko. Ftesa, e mbajtur sekret deri në momentin e fundit, duket se do të jetë surpriza më e veçantë e festivalit. Protagonistja e këngës së lehtë shqiptare do të jetë sërish prezente në paradën e këngëve, si një star i shquar, si një këngëtare e madhe që i rikthehet publikut të saj. Për të gjithë këtë ajo premton një tur të plotë nëpër Shqipëri, si në kohët e bukura ku të gjithë e ndiqnin koncerteve.

Simaku nuk është vetëm një yll i muzikës. Më saktë ajo është një yll i Shqipërisë, megjithëse në CD e fundit do të këndojë në anglisht. “Ndonjëherë mund të më shpëtojë goja dhe mund të them “hello” në anglisht ose “okay”. Por në çdo gjuhë të huaj që mund të këndoj apo mund të flas, asnjëherë nuk do të jem në gjendje të flas me gjuhën e zemrës, siç flas shqipen, gjuhën e nënës sime” thotë e emocionuar. Simaku në Shqipëri sidoqoftë do të këndojë shqip.

-Keni pesë vjet pa shkelur në vendin tuaj. Ç’mund të thoni tani që u rikthyet?

-Jam shumë e lumtur që kthehem në shtëpinë time, sidomos pas këtyre viteve që kanë qenë vitet më të vështira, por dhe më të bukura të jetës sime.

-Ç’gjëra keni kujtuar nga Shqipëria, këto vite që i keni munguar asaj?

-Familja, qyteti ku kam lindur, Kavaja dhe mbi të gjitha të këndoj. Muzika, kënga ka qenë dhe do të jetë e vetmja dashuri e jetës sime.

-Ky është një qëndrim tranzit, apo keni plane të tjera në Shqipëri?

-Çdo vend i botës është tranzit për mua, kudo që kam shkuar. Por, vetëm Shqipëria është i vetmi vend që kurrë nuk ka për të qenë tranzitor për mua. Është shtëpia ime dhe do të jetë gjithmonë.

-A e keni ndjerë mungesën e spektatorit shqiptar dhe kur do të “ankoroheni” sërish në “limanin” e ndjesisë së këtij spektatori që ju do kaq shumë?

-Po, kam plane për të ardhmen. Së shpejti do të këndoj. Do të bëj një turne në gjithë Shqipërinë e madhe. Është reciproke. Dhe unë i dua spektatorët dhe më kanë munguar, ashtu siç i kam munguar edhe unë atyre. Dhe mungesën time do ta shpreh nëpërmjet eksperiencës që kam fituar gjatë gjithë këtyre viteve. Dhe do të filloj të besoj atje ku fillova shumë shumë vite të shkuara, kur isha vajzë e re e këndoja në festivalin kombëtar të muzikës së lehtë. Dhe besoj se së shpejti nuk është më surprizë, do të këndoj në festivalin e dhjetorit, aty ku filloi karriera ime e madhe. Pasi kam marrë ftesë nga Drejtoria e Përgjithshme e Radiotelevizionit, personalisht nga Zhani Ciko, udhëheqësi artistik i festivalit.

-Ambicia juaj është për t’u admiruar. Kjo ambicie ka çuar në majat e suksesit dhe Madonën. Në këtë këndvështrim, a do t’i pëlqente Parashqevisë të quhej Madona shqiptare?

-Do ta marr për kompliment pyetjen, përsa i përket ambicies për sukses. Dhe shpresoj se jam drejt suksesit të madh që kam ëndërruar. Por është një ndryshim i madh midis nesh, sepse që në moshën 5-vjeçare, siç edhe ju mund ta dini, unë isha vërtet star. Asnjëherë s’kam provuar të bëhem star, sepse isha. Në fakt unë jam rritur në skenë, televizion, radio dhe e quaj privilegj të jashtëzakonshëm që jam artiste e muzikës shqiptare, që jam një përfaqësuese e artistëve shqiptarë në Amerikë. Ambicia ime gjithmonë ka qenë jo që të bëhem star, sepse e kam konsideruar veten të tillë, por të arrij suksese në skenat internacionale në mbarë botën. Vetëm si artiste shqiptare. Muzika është një nga gjërat që nuk ka nevojë për përkthim.

-Ju këndoni në anglisht, do të thotë kjo që ndjesia është universale, apo ndjeni pengesë shprehje- je duke mos folur në shqip?

-Ndonjëherë mund të më shpëtojë goja dhe mund të them “hello” në anglisht ose “okay”. Por në çdo gjuhë të huaj që mund të këndoj apo mund të flas, asnjëherë nuk do të jem në gjendje të flas me gjuhën e zemrës, e siç flas shqipen, gjuhën e nënës sime.

-Dihet që rruga drejt Hollivudit është shumë e vështirë. Pak vetë e kanë arritur atë. Në shtyp është folur dhe për rrugën tuaj drejt Hollivudit. Mund të na tho- ni në ç’kilometër të kësaj maratone artistike, keni arritur?

-Sapo kam mbaruar me sukses shumë të madh, albumin tim të parë, që është një nga arritjet më të mëdhaja të jetës sime artistike. Dhe jam shumë krenare për të, sepse është e vërtetë, jetoj në Hollivud së fundi. Kam lënë shokët, shoqet që janë shumë të talentuar, që i ndajmë ëndërrta që kemi dhe punojmë bashkë për të ardhmen. Kam patur fatin të njihem personalisht me Sten Dragotin i cili ka qenë një sukses në sytë e mijë. Pas një pune shumë të madhe me pedagogë të kantos, të muzikës amerikane, sidomos në Nju Jork dhe Hollivud dhe faleminderit eksperiencës që kam fituar, duke kënduar muzikën popullore, veçanërisht folklorin shqiptar, arrita të shkruaj këtë album, të shkruaj muzikë, të shkruaj tekste dhe duke arritur kështu të provoj albumin tim të parë CD (kompaktdisk). Albumi titullohet “Fly in my temples”, që do të thotë në shqip “Fluturoj në tempullin tim”, pra, fluturoj brenda vetes, sepse është shumë mirë që njeriu gjithmonë të bëjë vetën që të jetë në gjendje të dojë të tjerët. Prandaj çdo gjë në këtë kompaktdisk është e lidhur me emocionet e mija. larg Shqipërisë, larg familjes, larg asaj që më bëri mua kjo që jam sot. Edhe pse do ta këndoj në anglisht, besoj se njerëzit do ta kuptojnë, sepse janë emocionet e mia, janë fjalët e mia të shkruara vetë, pra do të jetë shumë e lehtë për ta, që ta kuptojnë, sepse jam unë.

-Ktheheni me një emër tjetër arti, Vivian. Çka ndryshuar tek ju në këta pesë vjet?

-Kam një emër kaq të gjatë, të jashtëzakonshëm, Parashqevi. Në fakt që kur isha në Shqipëri, në vende të ndryshme të vendit tim, kudo që kam shkuar, shokë e miq që kam, të gjithë më kanë vënë emër sipas dëshirës që kanë patur, sepse kanë dashur të jenë shumë afër meje. Dhe emri i gjatë sikur i ka larguar. E do të jap një shembull, më kanë thirrur “Parashka”, “Paro”, “Via”, “Vivi”, “Vivo”, “Paçi”, “Vivian”. Së fundi në skenën amerikane, emri im i vërtetë, është emri im i familjes dhe është vetëm Simaku. Dhe po të duan mund të më thërrasin Simaku. Do të më bëhej qejfi shumë,

-Amerika thonë se është vendi i realizimit të ëndrrave. Si e keni ndjerë ju Amerikën?

-Po, është e vërtetë. Amerika është vend ku ëndërra të bëhen realitet. Nuk di se si të zgjatem, por dua ta them anglisht: “Good bles America”.

-Zakonisht artistëve ju komentohet shumë edhe jeta private. A mund të na thoni ndonjë thashethem për veten?

-No coment.

-Meqë dhe amerikanët shpesh në vend të tungjatjeta thonë “make money”, ju a keni bërë para?

-Kur shkova në Amerikë nuk kisha para, por bëra shumë shokë e miq. Dhe në fillim ata nuk më thanë “make money”, por të gjithë më thanë “hello” dmth tungjatjeta.

-Kemi dëgjuar se përveç dasmës që ju keni bërë në Amerikë para tre muajsh, një arsye tjetër e ardhjes tuaj në Shqipëri është dhe kurorëzimi në prani të familjes, të afërmve dhe shokëve tuaja. Sa e vërtetë është kjo?

-Është e vërtetë. Një nga arsyet familjare, megjithëse thashë “no coment” për jetën private, por kam dëshirë që ta ndaj këtë gëzim, sepse është një gjë shumë e rëndësishme për mua që do të kem familje nesër, do të bëj një dasmë shqiptare, përveç asaj që kam bërë në Amerikë dhe kam dëshirë që ta ndaj këtë gëzim me familjen dhe të afërmit, sidomos me shokët dhe miqtë.

-Sa kohë do të qëndroni në Shqipëri?

-Shumë, shumë, shumë kohë.

-Diçka për synimet tuaja në të ardhmen…

-Do të bëj një turne internacional, ndërkombëtar në Evropë dhe kudo në botë. Do të zgjedh orkestrën time së shpejti dhe do të këndoj në shqip dhe anglisht në mbarë botën,

Intervistoi: Shqiponja Telhaj