Këtë javë, Komisioni Europian i hapi Shqipërisë “Grup Kapitullin 4” të negociatave, me tematikë “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, duke e vlerësuar si ecuri të shpejtë dhe si start për finalizimin e procesit të integrimit. Tashmë ka mbetur i pa hapur vetëm “Grup Kapitulli 5”, me tematikë “Modernizimin e bujqësisë, mbështetjen e fermerëve, standardet e prodhimit bujqësor e blegtoral, kontrollin ushqimor dhe kohezionin në këtë sektor”.
Në të vërtetë, ky kapitull duhej të ishte hapur në janar 2025, por Komisioni Europian e bllokoi procesin për shkak të problemeve të shumta që ka sektori i bujqësisë në Shqipëri, sidomos korrupsionit me fondet e dhëna nga BE. Në mars 2025, Edi Rama deklaroi se kapitulli për bujqësinë do të hapej në maj, por Komisioni refuzoi, për shkak se drejtësia nuk kishte çuar para përgjegjësisë ish-drejtoreshën e AZHBR-së, Frida Krifca, dhe vartësit e saj, të akuzuar për abuzimin me 138 milionë euro fonde të programit “IPARD II” në vitet 2017–2021.
Pas hapjes së Kapitullit 4, Rama deklaroi se brenda vitit 2025 do të hapet edhe kapitulli për bujqësinë, që është i fundit në procesin e negociatave. Por sërish, Komisioni Europian vuri kusht ndëshkimin e abuzuesve me fondet. Ndoshta kjo deklaratë e Ramës është bërë pasi ai u ka dhënë garanci shefave të Komisionit se Frida Krifca dhe grupi i saj do të çohen para drejtësisë përpara konferencës së dhjetorit, si kusht i vetëm për zhbllokimin e kapitullit të bujqësisë.
Më 2 shtator 2025, “Pamfleti” paralajmëroi se Komisioni Europian do të vendoste të mos e hapte kapitullin për bujqësinë, për shkak të bllokimit të hetimeve për abuzimet me fondet e BE-së. Paralelisht me konferencën në Bruksel, në Shqipëri zbarkoi një delegacion i Komisionit Europian për Kontrollin Buxhetor, i udhëhequr nga kryetari Niclas Herbst, për të ndjekur fatin e dosjes penale për fondet bujqësore dhe rolin e qeverisë në pengimin e këtij hetimi.
Deklarata e Ramës se kapitulli për bujqësinë do të hapet deri në dhjetor 2025 është një sinjal i qartë se ai ka vendosur t’ia dorëzojë Frida Krifcën drejtësisë, pas katër vitesh mbrojtje, duke bllokuar kallëzimin penal të OLAF-it dhe hetimin e saj në pazar me drejtuesit e SPAK-ut.
Tani, hapja e Kapitullit 5 për bujqësinë është vetëm në dorën e Altin Dumanit dhe qëndrimit të tij ndaj dosjes “Krifca”. Por, meqë Rama dha garanci se kapitulli do të hapet deri në dhjetor, duket se ai ka arritur marrëveshje me Dumanin për ta çuar Frida Krifcën prapa hekurave.