Pas largimit të Ilir Prodës nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, procesi për përzgjedhjen e pasardhësit të tij ka hyrë në fazën përfundimtare të aplikimeve. E mërkura, 11 mars, është dita e fundit kur kandidatët mund të dorëzojnë dokumentacionin për të marrë pjesë në garë.
Aplikimet mund të dorëzohen në dy forma. Kandidatët kanë mundësi të paraqesin dokumentet fizikisht në protokollin e Ministrisë së Brendshme deri në orën 16:30, ndërsa përmes postës elektronike afati zgjatet deri në mesnatë.
Deri në këtë fazë të procesit, raportohet se tetë kandidatë kanë dorëzuar aplikimet e tyre pranë Ministrisë së Brendshme. Të gjithë janë zyrtarë me përvojë në strukturat e Policisë së Shtetit dhe synojnë drejtimin e institucionit për një mandat pesëvjeçar, siç përcaktohet nga ligji.
Mes emrave që kanë paraqitur kandidaturën është Pëllumb Seferi, aktualisht drejtor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit. Ai njihet për përfshirjen në koordinimin e disa operacioneve të ekstradimit në vitet e fundit.
Në garë është gjithashtu edhe Elidon Çela, drejtori aktual i Policisë së Vlorës. Në të kaluarën ai ka drejtuar Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë dhe ka mbajtur disa funksione drejtuese brenda strukturave të policisë.
Një tjetër kandidat është Skënder Hitaj, drejtori i Policisë së Fierit, i cili më herët ka ushtruar detyra drejtuese edhe në qarqet Shkodër dhe Dibër.
Ndërkohë, në listën e aplikantëve figuron edhe Idajet Faskaj, i cili gjatë karrierës së tij ka mbajtur poste të larta drejtuese në Policinë e Shtetit.
Pas mbylljes së afatit të aplikimeve, pritet që Ministria e Brendshme të vijojë me fazat e tjera të verifikimit dhe vlerësimit të kandidatëve, përpara se të propozohet emri i drejtuesit të ri të Policisë së Shtetit.