Teksa Sali Berisha nuk e pranon humbjen dhe akuzon PS se i vodhi votat, aleati i tij Ilir Meta i ka dhënë një mesazh në distancë.
Kreu i PL ka firmosur një urdhër nga qelia, për të bërë një analizë të brendshme se ku cedoi partia në zgjedhjet e 11 majit. Ilir Meta garoi në listë të hapur në Tiranë dhe mori 7635 vota, shumë më pak nga sa kishte premtuar (40 mijë vota). Kjo bëri që ai të mos sigurojë mandat deputeti.
“Firmosa sot urdhrin për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit për çdo Njësi dhe Qendër Votimi në Qarkun Tiranë për të verifikuar punën dhe rolin e gjithsecilit.
Edhe njëherë faleminderit me mirënjohje të gjithë atyre të cilët i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cënoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës, duke vijuar me vendosmëri, qëndresë e kurajë t’i prijnë betejës tonë të përbashkët në mbrojtje të kauzave madhore”, shkruan Meta.
Por nëse shihet urdhri i firmosur prej tij, duket sikur Meta ka dyshime se u sabotua nga brenda. Meta kërkon të shihet puna e gjithë anëtarëve të angazhuar në zgjedhje, duke i marrë emër për emër. Po ashtu kërkon të japë llogari dhe përgjegjësi për diasporën, pasi nga jashtë PL mori shumë pak vota.
“Secili anëtar i Kryesisë të paraqesë brenda datës 23 Maj 2025, një raport me shkrim mbi aktivitetin elektoral në terren të zhvilluar në funksion të zgjedhjeve të 11 Majit, qendrat e votimit ku ka punuar dhe rezultatin e tyre, votat personale që ka raportuar dhe reflektimin e tyre në rezultatin përfundimtar.
Raport mbi angazhimin personal ditën e votimit më 11 Maj, në Njësinë dhe qendrën e tij të votimit, si dhe në ditët pasuese të numërimit të votave në Njësinë dhe QV e marra përsipër.
Raport i posaçëm nga Sekretari për Diasporën mbi aktivitetin e Komisionit të ngritur për verifikimin e votuese jashtë vendit, votat e identifikuara dhe analizën e rezultatit të votave në diasporë për Qarkun Tiranë”, thuhet në dokument.
Më tej bëhet me dije se këto të dhëna do të paraqiten te Sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi, i cili së bashku me Kryetarin e Komitetit Drejtues Kombëtar, Edmond Haxhinasto dhe anëtarin e Sekretariatit për Organizimin, Rexhep Ballimi kanë për detyrë të bëjnë vlerësimin paraprak në bashkëpunim me drejtuesit ose të ngarkuarit e njësive për Qarkun e Tiranës. Më datë 1 Qershor 2025, raportet të analizohen në mbledhjen e Kryesisë, përfundon shkresa.