Në seancën e fundit plenare, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 72 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim “Strategjinë Kombëtare kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit”. Opozita braktisi sallën në momentin e votimit, duke kundërshtuar procesin dhe përmbajtjen e dokumentit, të cilin e cilësoi të njëanshëm dhe të rrezikshëm për lirinë e medias.
Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin, deputeti i PS-së Erion Braçe, prezantoi strategjinë nga foltorja e Kuvendit duke deklaruar se kjo përbën një etapë të re për ndërtimin e imunitetit demokratik të vendit.
“Të gjithë jemi dëshmitarë që kërcënimet ndaj demokracive moderne nuk shfaqen më në forma klasike. Dezinformimi, manipulimi i informacionit publik, depërtimi i interesave të huaja në procese zgjedhore apo sektorë kritikë të ekonomisë kombëtare janë kthyer në mjete efektive të ndikimit politik dhe strategjik, pa kaluar në forma të drejtpërdrejta të dhunës apo agresionit ushtarak”, tha ai.
Sipas Braçes, dokumenti nuk është një masë represive, por një domosdoshmëri për të mbrojtur hapësirën publike nga ndërhyrjet keqdashëse të huaja dhe nga fushatat sistematike dezinformuese që kanë për qëllim destabilizimin institucional.
Nga ana tjetër, deputetja e opozitës Ina Zhupa e cilësoi strategjinë një mjet për kontroll politik të medias dhe për centralizimin e informacionit publik në duart e qeverisë.
“Ky komision nisi dhe bitisi në një mënyrë të njëanshme dhe materiali i strategjisë që e kam lexuar me vëmendje për çfarë do prodhonte, ishin klishe dhe i ngjanin programit të qeverisë, nga ekonomia te media, me qëllim të caktuar për të fshehur, por me qëllim për të kontrolluar informacionin në media e për të ndërhyrë në atë që është pushtet i pavarur, pushtetin mediatik. Nuk pati vullnet për strategji, është injoruar gjatë gjithë kohës së procesit Komisioni i Medias, që nuk kontrollohet nga ju dhe nuk plotëson oreksin tuaj”, tha Zhupa.
Komisioni i Posaçëm kundër Dezinformimit u ngrit me qëllim rishikimin e kuadrit ligjor për të parandaluar ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike dhe zgjedhjet e ardhshme. Pavarësisht bojkotit të opozitës, komisioni zhvilloi seanca dëgjimore me institucione publike dhe aktorë të shoqërisë civile, duke përmbyllur punën me hartimin e një strategjie të cilën qeveria e konsideron jetike për sigurinë kombëtare. Sinjalet janë se qëllimi final është kontrolli i medias.