Kronikë

LAJM I TRISHTË/ Ndërron jetë Prof. Dr. Bilal Shkurtaj, një nga “arkitektët” kryesorë të zhvillimit të Universitetit të Vlorës

Prof. Dr. Bilal Shkurtaj ka ndëruar jetë ditën e sotme. Prof. Shkurtaj një figurë emblematike në arsim, një udhëheqës vizionar dhe një njeri i dijes së palodhur ka mbyllur sytë përgjithmonë ditën e sotme.

Prof. Shkurtaj ishte jo vetëm një mësues i përkushtuar dhe studiues i dalluar, por mbi të gjitha një njeri që ia kushtoi jetën e tij përparimit të arsimit të lartë në Shqipëri.

Si një nga “arkitektët” kryesorë të zhvillimit të Universitetit të Vlorës, ai e udhëhoqi këtë institucion drejt një transformimi të thellë, duke e shndërruar në një qendër të rëndësishme kombëtare të dijes dhe kërkimit shkencor.

Nën drejtimin e tij, Universiteti i Vlorës njohu një rritje të ndjeshme si në numrin e studentëve, ashtu edhe në diversitetin e programeve akademike. Me mbi 14,000 studentë, universiteti u rendit ndër më të mëdhenjtë në vend një arritje që mban vulën e vizionit, punës dhe përkushtimit të Prof. Shkurtajt.

I diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, dega Fizikë, ai ishte një studiues i rrallë, që nuk hoqi kurrë dorë nga kërkimi shkencor dhe mësimdhënia. Breza të tërë studentësh u formuan nën udhëzimin e tij, duke përfituar jo vetëm dije, por edhe vlera njerëzore që e bënin atë një figurë të dashur dhe të respektuar.