Gjithmonë bardheblu, në përjetësi bardheblu. Asesi nuk mund të ishte menduar e shkruar ky lajm për një nga njerëzit që punoi te Tirana pa parë kurrë nëse do të merrte diçka mbrapsht, Astrit Burreli.
Në moshën 67-vjeçare ai mbylli sytë përgjithmonë duke lënë pas bashkëshorten dhe dy djem të mrekullueshëm. Ishte i kudogjendur, përherë pranë familjes së madhe bardheblu. Dhe së fundmi pranë klubit të Tiranës si një nga punonjësit e stadiumit “Selman Stërmasi”.
“Tirona Fanatics shpreh ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të një prej atyre që lanë zemrën e jetën duke kontribuar për ngjyrat bardheblu, pa ndjerë kurrë lodhje apo pa kërkuar kurrë merita! Një jetë bardheblu e një jetë dedikuar Tironës!
Pusho i qetë Tit Burreli!”, shkruhej në njoftimin e ultrasve kryeqytetas.
Stafi i redaksisë së Newsport.al bashkohet me dhimbjen e familjarëve duke i shprehur ngushëllimet e sinqerta për këtë humbje të parakohshme të Titit, që të gjithë kështu e njihnin.