Dy të rinj nga Mitrovica kanë humbur jetën tragjikisht si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku në Itali.
Viktimat janë Fidan Peci, 27 vjeç, dhe Ardian Avdyli, 21 vjeç, të cilët ndërruan jetë pas plagëve të marra në aksidentin e ndodhur të premten.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, i cili shprehu dhimbjen dhe ngushëllimet për familjet e të ndjerëve.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të dy të rinjve mitrovicas, Fidan Peci (27 vjeç) dhe Ardian Avdyli (21 vjeç), të cilët humbën jetën në një aksident të rëndë trafiku në Itali. Në emrin tim personal dhe në emër të Komunës së Mitrovicës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve Peci dhe Avdyli, miqve dhe të gjithë atyre që i njohën. Humbja e jetëve të reja është dhimbje e madhe për familjet, por edhe për mbarë qytetin tonë dhe Kosovën. Në këto momente të rënda, jemi pranë jush me mendje dhe zemër, duke ndarë dhimbjen dhe lutjet tona për shpirtin e tyre”, ka shkruar ai.
Humbja e dy të rinjve ka tronditur jo vetëm familjarët dhe miqtë e tyre, por edhe komunitetin në Mitrovicë, ku ata njiheshin dhe vlerësoheshin.