Ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare ikona e kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Margarita Xhepa, e njohur për një karrierë të gjatë dhe të pasur me dhjetëra role artistike që kanë lënë gjurmë në historinë e artit skenik dhe filmik shqiptar.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë përmes “Skype” në edicionin e lajmeve të “Ora News”, regjisorja Driada Dervishi ndau emocionet dhe kujtimet e saj për artisten e madhe.
“Nëse do flasim për kontaktin besoj se të gjithë ata që i janë dedikuar rrugës së teatrit apo të filmit me Margarita Xhepën, kontaktin duhet ta kenë pasur që shumë herët, që në fëmijërinë e hershme.
Unë i përkas atij brezi që jemi frymëzuar dhe jemi rritur duke parë filmat e Margarita Xhepës dhe aq sa kemi mundur të ndjekim edhe teatrin në ekran dhe ndoshta nga interpretimet e Margarita Xhepës, një pjesë e mirë e jona dhe janë frymëzuar për të vijuar më pas dhe për t’iu kushtuar teatrit apo filmit.
Besoj se kontakti ka qenë, nuk besoj se ka një datë të saktë, përsa i përket pastaj eksperiencës personale me një ikonë të rëndësishme të teatrit të filmit, për mua si regjisore ka qenë në vitet e fundit, pikërisht kur Margarita ishte në moshën 88-vjeçare ne kemi realizuar një shfaqje, një performancë teatrale dhe besoj ka qenë konfirmimi i të gjitha atyre që dëgjova edhe nga aktorja Gjeka, jo vetëm madhështia e saj dhe dimensioni artistik që ti ndesh, është një lloj admirimi i cili kthehet më pas në respekt të jashtëzakonshëm dhe kupton përmasën e talentit të personit që ti po bashkëpunon.
Ajo që bien të gjithë dakord është mirësia dhe atmosfera e bukur që ajo krijonte”, u shpreh Dervishi.