Sport

Lara Kolturi qëndroi kuqezi për të përfaqësuar Shqipërinë, Qeveria i jep 100 milionë lekë Federatës së Skive

Vendimi i skiatores Lara Kolturi për të vazhduar përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke mos u kthyer te Italia, ka gjetur mbështetjen e fortë të qeverisë shqiptare. Kjo e fundit ka subvencionuar me një fond të rëndësishëm programin e Federatës së Skive për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit të ardhshëm.

Në vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave është alokuar një shumë prej 10 milionë lekësh të reja për Federatën “për mbështetje dhe përgatitje për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026”.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 23 Korrik 2025:

V E N D I M

PËR

FINANCIMIN E FEDERATËS SHQIPTARE TË SKIVE  PËR MBËSHTETJE DHE PËRGATITJE PËR PJESËMARRJE NË LOJËRAT OLIMPIKE DIMËRORE MILANO CORTINA 2026

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 13, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Financimin, në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, për Federatën Shqiptare të Skive (FSHS) për mbështetje dhe përgatitje për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026.
  2. Fondi i përcaktuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, transferohet në llogarinë e Federatës Shqiptare të Skive, në një bankë të nivelit të dytë, dhe përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2025 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në llogarinë ekonomike 604 “Transferta të brendshme”, në programin buxhetor 08140 “Zhvillimi i sportit”.
  3. Federata Shqiptare e Skive, brenda muajit gusht 2025, të paraqesë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit planin e detajuar dhe të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Skive të veprimtarisë, për të cilën do të përdoret ky fond.
  4. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Federata Shqiptare e Skive për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU