Sport

Largimi i Morieros, te Flamurtari e kanë gjetur zgjidhjen për pankinën në versionin “Partizani”

Klubi i Flamurtarit duket se ka gjetur zgjidhjen sa i përket të ardhmes së pankinës së vlonjatëve, pas larigmit të Françesko Morieros i cili për shkak të situatës shëndetësore, si dhe të mungesës së rezultateve, tani llogaritet se e ka mbyllur me kuqezinjtë.

Problemi tashmë është se kush do të marrë drejtimin e skuadrës në vijimin e sezonit dhe për këtë duket se zgjidhja është gjetur te persona që njohin shumë mirë elementët e ekipit. Ndaj eksperimenti i nisur me dyshen Ribaj-Liçaj në pankinë ndaj Teutës, duket se do të vazhdojë deri në fundin e sezonit.

Andi Ribaj, në rolin e drejtorit sportiv, ka qenë ai që ka bërë merkaton e kuqezinjve në këto muaj ndaj njeh mirë përbërjen e ekipit, përtej faktit që ka qenë vazhdimisht pranë skuadrës në këto kohë. Ndërkohë, Lejdi Liçaj ka qenë zëvendëstrajner i Morieros në këtë edicion dhe ka punuar përkrah italianit duke u ndalur edhe në planet taktike të lojës së skuadrës.

Për këtë arsye, te Flamurtari kanë idenë të vazhdojnë në këtë mënyrë në pankinë, duke përsëritur deri diku atë që bëri vazhdimisht Partizani në sezonet e kaluara, ku i besoi disa herë radhazi drejtorit sportiv Arbër Abilaliaj edhe postin e trajnerit të skuadrës.