Lea Ypi ka folur në studion e QUO VADIS për raportin me politikën dhe zërat që lidhen me angazhimin e saj publik pas rikthimit në Shqipëri.
Ajo theksoi se politika nuk është e përjashtuar nga jeta e saj, por aktualisht nuk është në fokusin kryesor.
Megjithatë, Ypi theksoi se në këtë moment prioriteti i saj janë librat dhe puna akademike.
“Jo, nuk e përjashtoj nga jeta ime, sepse unë jam në politikë, merrem me politikë, shkruaj libra që mundohem të kenë ndikim politik. Politikën e kemi të gjithë. Askush nuk përjashton asgjë, por tani kam prioritet librat. Nuk ia bëj vetes këtë pyetje.”, tha Ypi.
Ajo tha se njerëzit shpesh lexojnë politikën si një show, me emra që hyjnë dhe dalin, duke harruar se politika është një proces i forcave demokratike.
“Dhe unë jam munduar të kuptoj çfarë e sjell këtë nevojë për të përmendur emra, çfarë i bën gazetarët të më thonë “e keni parë deklaratën e filanit që ka përmendur emrin tuaj?” Në fakt nuk është e vërtetë. Lajmi bëhet duke nisur nga një e pavërtetë dhe pastaj zmadhohet e pavërteta. Pse njerëzit mundohet ta lexojnë politikën si një show, me emra personash që hyjnë dhe dalin? Si shpjegohet që ne politikën nuk arrijmë ta zbërthejmë si politikë të forcave demokratike? Ne, në fund të fundit, jetojmë në demokraci, dhe sistemin nuk e ndërton një individ.”, tha shkrimtarja.