Sport

Leao tek Interi dhe Turam te Milani? Idea që trazon Seria A

Gjatë viteve të fundit, merkatoja në Milano ka prodhuar disa “dyer rrëshqitëse” interesante. Janë histori transferimesh që mund të kishin marrë një drejtim tjetër dhe që sot na bëjnë të pyesim: Çfarë do të kishte ndodhur nëse një lojtar do të kishte veshur fanellën e rivalit të qytetit?

Në të kaluarën, kalimi nga njëra anë e Milanos te tjetra ishte shumë më i vështirë për shkak të reagimit të tifozëve. Sot, futbolli është globalizuar dhe këto situata janë më të pranueshme. Megjithatë, disa histori merkatoje mbeten kurioze, sepse për pak sa nuk përfunduan ndryshe. Ja pesë raste të tilla:

MODRIÇ (2018)

Vera e vitit 2018 ishte ajo e ëndrrës së madhe të Interit për të sjellë në “Pinetina” yllin kroat Luka Modriç. Rreth kësaj historie ka versione të ndryshme, disa thonë se ishte vetë lojtari që kërkonte një ndryshim, të tjerë se gjithçka ishte një lëvizje e agjentëve për të siguruar një rinovim më të mirë kontrate me Real Madridin. Fakti është se kontaktet mes Interit dhe Modriç ekzistuan dhe me kalimin e javëve u bënë gjithnjë e më konkrete. Interi ëndërronte, Luçiano Spaletti gjithashtu, ndërsa tifozët mezi prisnin një transferim të tillë.

Por në fund ndërhyri drejtpërdrejt presidenti i Real Madridit, Florentino Perez. Ai deklaroi se për ta marrë kroatin duhej paguar klauzola prej 750 milionë eurosh dhe madje denoncoi Interin në FIFA për kontakt pa lejen e klubit. FIFA nuk gjeti prova për shkelje, por në atë moment ishte shumë vonë. Modriç qëndroi te Real Madrid dhe madje përfitoi edhe një rritje page.

LEAO (2019)

Historia e Rafael Leaos na çon në vitin 2019. Vetë portugezi ka treguar se Interi kishte kontaktuar me Lilë për ta transferuar atë. “Unë thashë jo, sepse doja të qëndroja edhe një vit për t’u përmirësuar,” ka treguar Leao. Por drejtuesit e klubit francez këmbëngulnin: ishte një ofertë e mirë për të gjithë. Pak javë më vonë, situata ndryshoi. Në derën e Leaos trokiti Milani. Sulmuesi kujton se kur erdhi oferta, ai mori një video-telefonatë nga Paolo Maldini. Legjenda kuqezi i tha se Milani e donte në Milano dhe ishte gati ta transferonte. “Pas asaj bisede nuk mund të thosha jo,” ka rrëfyer Leao. Një derë rrëshqitëse e vërtetë e merkatos.

TURAM (2023)

Në pranverë dhe verë të vitit 2023, Markus Turam ishte në qendër të një derbi merkatoje mes dy klubeve milaneze. Milani kishte nevojë prej vitesh për një qendërsulmues të besueshëm dhe e shihte francezin si një zgjidhje ideale. Nga ana tjetër, edhe Interi e pëlqente shumë profilin e tij. Për më tepër, Turam ishte në fund të kontratës me Borusia Mynçengladbah, gjë që e bënte transferimin edhe më tërheqës. Milani tentoi ta mbyllte marrëveshjen që në janar, por klubi gjerman refuzoi. Kuqezinjtë vazhduan të punonin për transferimin, por pas finales së Champions League, Interi hyri fuqishëm në garë. Zikaltrit ofruan një paketë më të mirë financiare dhe u treguan më të shpejtë në negociata. Në mesin e qershorit, Turam zgjodhi Interin.

DE UINTER (2025)

Para se të transferohej te Milani verën e kaluar, Koni De Uinter kishte qenë objektiv konkret i Interit. Zikaltrit kishin nisur lëvizjet që në muajin maj, me synimin për të rinovuar repartin e mbrojtjes dhe për t’u mbrojtur në rast largimi të Pavard ose Bisek. Megjithatë, me kalimin e kohës negociatat u ftohën, kryesisht për shkak të shumës që kërkonte Xhenoa. Interi e konsideroi shumë të lartë për parametrat e tij financiarë dhe marrëveshja u ndërpre. Në gusht, në skenë hyri Milani. Kuqezinjtë kishin nevojë urgjente për një zëvendësues të Malik Çau, i cili ishte transferuar te Njukasëll. Drejtuesit e Milanit e konsideruan De Uinter një investim të balancuar mes çmimit dhe cilësisë dhe e transferuan në “Milanello”.

AKANXHI (2025)

Manuel Akanxhi përfundoi te Interi në orët e fundit të merkatos së verës së kaluar, më 1 shtator. Por para kësaj, ishte pikërisht Milani që e kërkonte me insistim. Kuqezinjtë po kërkonin një mbrojtës me eksperiencë për të forcuar një repart që nuk kishte një lider të qartë dhe që ishte numerikisht i kufizuar. Në ditët e fundit të gushtit, Milani arriti pothuajse një marrëveshje me Mançester Siti për kartonin e lojtarit. Megjithatë, ishte vetë Akanxhi ai që ndryshoi gjithçka, duke zgjedhur Interin. Arsyeja kryesore ishte dëshira për të luajtur në Champions League, gjë që e bënte ofertën e Interit më tërheqëse, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë ekonomik.