Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka deklaruar se protestat e organizuara nga PD-ja, në vend që ta dëmtojnë politikisht kryeministrin Edi Rama, po përfundojnë duke e favorizuar atë.
Duke iu referuar protestës së fundit, ku u hodhën molotovë drejt ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha, sot qendër kulturore, Salianji tha se këto veprime prodhuan reagim nga ambasadat, duke e vendosur Partinë Demokratike në pozicion të vështirë.
“Arsye për të protestuar ka pafund, por strategji lidershipi nuk ka. Qeveria moralisht ka rënë, e kapur në një mijë skandale, por narrativa që ka lidershipi i PD-së i shkon në favor Ramës, përfshirë edhe paqartësinë strategjike. Diskutohet se u hodhën disa molotovë nëpër kazanë. Revolta e qytetarëve është për t’u vlerësuar, por drejtimi është i gabuar”, u shpreh Salianji i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV.
Ai theksoi se, sipas tij, nëse do të jepej një mesazh simbolik, objektivat duhej të ishin institucione që lidhen drejtpërdrejt me përgjegjësitë qeveritare, duke përmendur në mënyrë figurative Ministrinë e Infrastrukturës apo Ministrinë e Brendshme.
Salianji ngriti dyshime se protestat aktuale lidhen më shumë me zhvillimet e brendshme të Partisë Demokratike sesa me një strategji për rrëzimin e qeverisë. “E shoh që këto janë protesta për prillin, jo për të rrëzuar Ramën”, tha ai, duke iu referuar zgjedhjeve të brendshme të PD-së që pritet të mbahen në muajin prill.
Deputeti demokrat foli edhe për gjendjen e brendshme të partisë, duke pranuar një lloj “topitjeje” pas humbjeve të njëpasnjëshme. Sipas tij, lëvizja që ai ka ndërmarrë së bashku me një grup tjetër brenda PD-së ka synuar të zgjojë partinë, por theksoi se baza demokrate mbetet e demotivuar.
“Këto nuk janë as protesta të dhunshme dhe as paqësore, është diçka e ndërmjetme. Nuk thërrasin sentimentin dhe ndjeshmërinë e qytetarëve për korrupsionin, por demotivojnë edhe militantët. Hidhen fishekzjarrë dhe iket”, deklaroi Salianji.
Ai shtoi se krijimi i pritshmërive të vazhdueshme për rrëzimin e menjëhershëm të qeverisë është problematik. “Janë bërë pesë protesta dhe çdo javë thuhet se do të bjerë këtë javë, do të bjerë javën tjetër. Nëse rritet pritshmëria dhe kryetari i partisë thotë se do ta rrëzojmë këtë javë, ndërsa Rama vijon punët e veta, duhet të shohim nga vetja nëse problemi është edhe te ne”, u shpreh ai.
Duke iu referuar reagimit të ambasadave pas protestës së fundit, Salianji theksoi se më herët nuk ka pasur reagime të tilla kur protestat zhvilloheshin para Kryeministrisë. Sipas tij, dhuna u dha një pretekst për qëndrime publike kundër opozitës.
Në përfundim, ai tha se protesta mbetet një instrument i vlefshëm reagimi përballë skandaleve, por theksoi se opozita duhet të ndryshojë strategji dhe të rikthejë fokusin te faktet dhe dosjet që implikojnë qeverinë.
“Sot PD mund të kishte zaptuar hapësirën publike duke diskutuar për dosje. Nuk po i nxjerr PS, por PD duhet të dilte e të thoshte: ja ku janë faktet”, përfundoi Salianji.