Një vit pas sekuestrimit të telefonit, mbështetur në disa denoncime dhe indicie, SPAK ka krijuar një dosje të veçantë me prova për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si person nën hetim paraprak.
Më 17 shtator 2024, dy javë para se Edi Rama ta emëronte Ilir Prodën në krye të Policisë së Shtetit, SPAK i sekuestroi telefonin dhe e mori në pyetje, pasi, kur ishte drejtor në Elbasan, dyshohet se dekonspiroi aksionin për arrestimin e vëllezërve Hajdar dhe Franc Çopja, fakt i dalë gjatë përgjimeve të tyre.
Por dosja penale e Ilir Prodës është mbushur me prova të tjera, të zbuluara në telefonin e sekuestruar nga SPAK, në katër numra të tjerë celularë që ai ka pasur në përdorim gjatë 15 viteve të fundit, si dhe nga përgjimet e rrjetit SKY-ECC të personave nën hetim.

Sipas informacionit nga burime të BKH-së, emri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka dalë në biseda telefonike dhe shkëmbime mesazhesh me 20 eksponentë të botës së krimit nga Saranda, Vlora, Elbasani, Fieri, Tirana, Durrësi, Lezha, Korça dhe zona Mat–Bulqizë.
Në telefonët e zbërthyer të eksponentëve të krimit, emri i kryepolicit Ilir Proda është regjistruar si “Lili”, pseudonim me të cilin e përkëdhelnin në fëmijëri dhe adoleshencë, kur jetonte në Sarandë, dhe me të cilin i drejtohen ende sot miq e bashkëpunëtorë.
Identifikimi i tij në këto biseda dhe mesazhe është bërë përmes numrave të telefonit, përmbajtjes së kërkesave që i kanë bërë eksponentët e krimit dhe favoreve që ai dyshohet se u ka kryer për çështje të tyre me Policinë e Shtetit, të cilat përputheshin me detyrat që Ilir Proda ka pasur si drejtues komisariatesh dhe sektorësh në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Në dosjen hetimore që kanë përgatitur SPAK dhe BKH për Ilir Prodën, e bërë gati për procedim dhe dorëzim në gjykatë për masë penale, janë pasqyruar shumë biseda të tij me krerë të botës së krimit.
Rekordin e komunikimeve, kryepolici “Lili” e ka me trafikantin Ylli Cara, ortak në një biznes tregtimi makinash, i cili i ka paguar 70 milionë lekë për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 119 m² në Tiranë.
Gjithashtu, Proda dyshohet se ka komunikuar me pushtues tokash, ndërtues pa leje, kontrabandistë, trafikantë dhe vrasës në Tiranë, Sarandë, Durrës, Vlorë dhe Lezhë, si dhe me shfrytëzues minierash dhe transportues kromi pa licencë në Bulqizë, me të cilët flitet se ka rënë dakord për marrje informacioni policor, mosgoditje të veprimtarisë kriminale dhe mosprekjen e personave të implikuar.
Disa nga abuzimet e Ilir Prodës, “Pamfleti” i ka publikuar në shkrimin: “‘Njollat’ e kryepolicit Ilir Proda, në 11 detyrat që ka ushtruar dhe sekuestrimi i telefonit nga SPAK”, ku paraqiten fakte konkrete për lidhjet e “Lilit” Ilir Proda gjatë 20 viteve si oficer krimesh dhe drejtues policie në Tiranë, Bulqizë, Lezhë, Korçë dhe Elbasan.
Një nga rastet më flagrante është bashkëpunimi me vartësin e tij, “ushtarin” e bandave Ulian Shpataraku, kur ishin së bashku në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit deri në tetor 2024, ku dyshohet se favorizonin eksponentë të krimit të këtij qarku, madje edhe duke kapur dhe liruar trafikantë dhe vrasës në kërkim.
Madje, si lëndë referimi për hetimin që ka kryer BKH ndaj tij, janë përfshirë 53 raste të evidentuara në raportet e SHISH-it dhe shërbimit Anti-mafia, për favorizim ndërtimesh të paligjshme, grupe pastrimi parash, kontrabandë, mosfillim procedimesh, dekonspirim aksionesh, zhdukje provash në vendngjarje dhe raste trafiku e tregtie droge, fakte që janë shënuar në dosjen e tij personale./Pamfleti