Opinion

Linda Rama, Hillari Klinton e Peci i Byrekut

Nga Anila Basha

Ditën e djeshme vendosa të mos i kushtoja asfare rëndësi një letre të grupit parlamentar të PD që e shpallte Linda Ramën si “armiken” e raporteve të monitorimit për Shqipërinë, në rangun e ekspertes, meqë është bashkëshortja e kryeministrit.

Por në navigimin e përhershëm në “social media”, ku gjithkush ka ndonjë gjë për të thënë, pashë batarenë e sulmeve që shtoheshin dhe askush që nuk argumentonte për të kundërtën. Frika e përbaltjes në rrjetet sociale, – e natyrshme duhet thënë me gjithë vulgun që ato mbartin përbrenda – janë një motiv i arsyeshëm për të mos marrë guximin të thuash një opinion.

Kështu na ka ndodhur të gjithëve, edhe mua. Prej një viti në sulme të vazhdueshme, por askush nuk merr guximin të thotë një fjalë e të mbrojë, – sepse të gjithë kanë frikë.

Kjo situatë më bëri të ndjeshme ndaj betejave të përditshme të grave që bëjnë gjëra, që ne, duam ti bëjë dikush tjetër, e që nuk duam të paguajmë për to – (llumin e komenteve). Por meqë kërkush në biseda publike nuk doli të thotë një llaf, e ndërkohë në tavolina japin mbështetjen por kanë frikë ta thonë publikisht, unë, marr guximin të flas e të them sesa qesharake dhe e paargumentuar me “eligible criteria” është letra e firmuar nga PD ndaj donatorëve, kundër Linda Ramës.

Historia na ka mësuar se nuk duhet të shpikim gjëra të reja. Raste të tilla të ngjashme na vijnë nga bota e qytetëruar. Masmedia dhe opinioni publik në vende demokratike ka zgjidhur dhe trajtuar raste të tilla, – madje, – akuza, që kur janë dhënë si “eligible criteria” për profesionistët, i ka hedhur në kosh. Atyre që i kanë formuluar, u ka mbetur turpi. Ata që janë akuzuar, u ka ndritur karriera.

Në vitin 1991 Hillari Clinton e pa veten në faqet e para të gazetave prestigjioze amerikane sepse bashkëshorti i saj Bill Clinton kishte nisur fushatën brenda partisë për të vendosur kandidaturën për president. Meqë kundërshtarët nuk gjenin gjë tek CV e Klintonit për ta dëmtuar të mos vijonte këtë garë, gjetën zgjidhjen tek akuza ndaj Hillarisë. U kujtuan se ajo punonte në një firmë ligjore “Rose Law Firm” që siç dukej qartë, kishte mbrojtur disa kauza të forta të shtetit të Arkansasit ku bashkëshorti ishte Guvernator.

“Epo ndoshta do të donit të më kujtonit një grua që duhet të bëj biskota e çaj në shtëpi”, iu përgjigj Hillary Clinton gazetarëve në debate televizive, duke u kujtuar se të qenurit avokate ishte e drejtë e fituar prej saj dhe në firmën prestigjioze shumë kohë përpara se bashkëshorti të ishte prokuror e më pas Guvernator.

M’u kujtua duke qeshur ky episod se po mendoj Linda Ramën që u kthehet me të njëjtën monedhë deputetëve e deputeteve të PD, duke u treguar se mos e imagjinojnë me pec në dorë duke t’hollur petët e byrekut…Jo se ky është një proces që ndoshta nuk e bën, por për të gjithë ata që e njohin Linda Rama ka qenë, është dhe ndoshta do të mbetet një aset i ekspertizës së brendshme për çështjet e reformave dhe studimeve të thelluara në fushën e administrimit publik, politikave të qeverisjes apo disiplinimit të energjive sociale.

Është e vërtetë se shtypit i jepet gjithmonë ushqim në çdo fushatë zgjedhjesh, por kapërcimi ylberik i PD nga Edi Rama tek Linda të lë pa fjalë po të mendosh se brenda PD ka njerëz të mirëinformuar që kanë një rol të caktuar e që marrin seriozisht detyrat e tyre. Ndoshta për ta politika është një luftë me mjete të tjera, duke kërkuar të zgjerojnë bazën e armiqve brenda familjes kryeministrore.

Do kisha dashur që PD të fokusohej te një rrugëzgjidhje e re, që të jetë e thjeshtë, që të ofrojë mundësi duke kërkuar përgjegjshmëri. Por realisht duken të përkulur në peshën e disfatës teksa nuk arrijnë të çimentojnë akuzat për Edi Ramën, e fokusohen tek Linda.

Dhe për t’u kthyer tek Linda, më kujtohet diku nga viti 2017 a ’18 kur pikërisht për çështje të reformave të administratës m’u desh të intervistoja një profesor, nga ata “Par Excellence”, ndër të paktët që ka pasur Shqipëria, Ylli Çabiri (ndarë nga jeta në vitin 2022). Një njeri i vlerësuar si brenda vendit dhe jashtë vendit. E kur e pyeta për punën që bëhej brenda OJQ që drejtonte për mënyrën sesi analizoheshin të dhënat dhe sa voluminoze ishte kjo qasje, ai drejtoi gishtin tek një prej eksperteve më të mira që kishte: Linda Rama. Jashtë intervistës e pyeta edhe unë gjithë naivitet sesi besonte tek gruaja e kryeministrit. Përgjigja e tij duke qeshur ishte me shprehjen popullore: Linda nuk e ngatërron kekun me byrekun. Është eksperte!