Aktualitet

Loja me dy porta e Raiffeisen Bank! Si u detyruan kredimarrësit të blejnë 39 mijë siguracione te SIGAL, banka mori gjysmën

Një hetim i Autoritetit të Konkurrencës ka zbuluar se Raiffeisen Bank, një nga bankat më të mëdha në Shqipëri, dyshohet të ketë abuzuar me klientët kredimarrës konsumatore dhe hipotekorë duke kufizuar zgjedhjen e tyre në sigurimin e jetës.

Gjatë periudhës në hetim, rezulton se klientët kredimarrës për huatë hipotekore dhe mikro pranë bankës Raiffeisen kanë prerë policat e sigurimit të jetës pranë shoqërisë Albsig Jetë SHA me një total prej 66%, ndjekur nga Sigal Life me 26% dhe Insig Jetë me 8%.

Ndërkohë për kredimarrësit konsumator Banka ka zgjedhur të bashkëpunojë vetëm me një kompani – Sigal Life – duke e bërë të detyrueshme për çdo kredimarrës nënshkrimin e policës së sigurimit vetëm pranë kësaj shoqërie.

Problemikat kryesore të konstatuara:

1.Kufizimi i zgjedhjeve të klientëve – Kredimarrësit nuk kanë pasur mundësi të zgjedhin mes disa shoqërive të sigurimit, siç e parashikon logjika e një tregu konkurrues, por janë detyruar të lidhin kontratë vetëm me Sigal Life.

2.Përqendrim dhe dominim i tregut – Gjatë periudhës së hetimit, janë prerë rreth 39,000 polica sigurimi vetëm nga Sigal Life për kreditë konsumatore të Raiffeisen, duke i dhënë kësaj shoqërie një pjesëmarrje prej 90% në tregun e sigurimeve të jetës të lidhura me këtë bankë.

3. Fitime të larta nga komisionet – Nga dokumentacioni rezulton se Raiffeisen ka përfituar komisione shumë të larta nga Sigal Life:

50% të primit të arkëtuar për “paketën standard të sigurimit”

45% të primit të arkëtuar për “paketën ekstra”

Kjo praktikë ka sjellë të ardhura të konsiderueshme për bankën, duke u bërë me interes ekonomik për të ruajtur monopolin e Sigal Life.

Mundësia e shkeljes së ligjit – Sipas Autoritetit të Konkurrencës, sjellja e Raiffeisen Bank mund të përbëjë shkelje të:

Neni 4 i Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” (marrëveshje dhe praktika të ndaluara që kufizojnë konkurrencën)

Neni 9 i të njëjtit ligj (shfrytëzim i pozitës dominuese në treg).

Politika e ndjekur nga Raiffeisen Bank ka krijuar një treg të mbyllur, ku vetëm një kompani sigurimi përfiton nga kontratat e detyrueshme të sigurimit të jetës për kredimarrësit. Kjo praktikë jo vetëm që dëmton interesat e klientëve, por edhe deformon konkurrencën duke penguar hyrjen dhe veprimin e shoqërive të tjera të sigurimit.