Sport

“Lojtari i Ndeshjes” ndaj Vllaznisë, Emiljano Musta: Ka eufori, por të mos harrojmë se jemi Elbasani i ri dhe për herë të parë në Superiore

Vllaznia dhe Elbasani kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 26-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, përfundoi me rezultatin 1-1. Pas kësaj sfide ka folur “Lojtari i Ndeshjes”, Emiljano Musta i cili gjeti rrugën e rrjetës për Elbasanin.

“Personalisht ndihem mjaft mirë edhe pse do doja këto “Lojtari i Ndeshjes”, ti merrnim me rezultat tjetër, na duhen më shumë pikë. Unë ndihem shumë mirë nga të gjitha anët përsa i përket anës personale. Të them realitetin që nga fillimi i vitit kur kemi folur me drejtuesit, investimet, euforia e tifozëve, jemi Elbasani i ri, për herë të parë në Superiore.

Do të thoja që mundohemi t’i injektojmë edhe lojtarëve të huaj që kampionati është i vështirë dhe i paparashikueshëm. Na duhet të marrim maksimumin në çdo ndeshje. Mos të harrojmë duhet shumë kohë për të ndërtuar një ekip për të ardhmen.

Pjesa e euforisë i bën paksa mirë djemve, lojtarëve, opinionit dhe të gjithëve. Gjithmonë në dhomat e zhveshjes kam kërkuar që të jemi me këmbë në tokë gjatë gjithë sezonit.

Do shpresoj që të fitojmë me Partizanin dhe të besojmë tek Final 4. Ne jemi të gjithë të uritur, kërkojmë maksimumin pasi është bërë investim që të shkojmë lart. Ndonjëherë në futboll 2+2 nuk bëjnë 4”, është shprehur Emiljano Musta.